Deputeti i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar para nisjes së seancës së Kuvendit se afati për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor, duke theksuar se kanë mbetur shumë pak ditë për krijimin e institucioneve.
“Gjykata e konfirmoi se më 6 tetor mbyllet afati për presidentin. Jemi shumë pak ditë”, tha Haradinaj.
Ai akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se, sipas tij e kanë shfrytëzuar qëllimisht kohën pa krijuar institucionet.
“Gjithë kjo kohë është djegur qëllimshëm nga LVV e Kurti. Këto ditë të mbetura janë ditë të rëndësishme për krijimin e institucioneve, por edhe për t’iu përgjigjur zërit të qytetarëve”, u shpreh ai.
Haradinaj foli edhe për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara, duke e cilësuar atë si të papranueshëm dhe të padrejtë.
“Vendimi dënues për udhëheqësit e UÇK-së është i papranueshëm për ne, për Kosovën, i padrejtë, sepse UÇK-ja ka bërë luftë çlirimtare”, deklaroi Haradinaj.
Ai tha se Kuvendi duhet t’i shfrytëzojë ditët e mbetura edhe nëse nuk arrin të krijojë institucionet.
“Kuvendi duhet t’i shfrytëzojë këto ditë edhe nëse nuk i krijon institucionet, që t’i bashkohet zërit të qytetarëve, pra jo në emrin tonë ai vendim”, tha ai.
Haradinaj vlerësoi se vendi praktikisht është duke shkuar drejt zgjedhjeve, por tha se ditët e mbetura duhet të shfrytëzohen.
“Jemi në zgjedhje realisht, sepse çdo gjë shkon drejt zgjedhjeve, por do të ishte e turpshme me i lënë këto ditë pa i shfrytëzuar, të paktën për t’u bërë bashkë me zërin e popullit”, përfundoi Haradinaj. /Telegrafi/