Bashkim Fazliu – Migjeni, iniciator i peticionit për largimin e emrit “Uroševac” nga përdorimi zyrtar, ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës nismën e mbështetur me 14 mijë e 140 nënshkrime të qytetarëve të Ferizajt.
Peticioni është dorëzuar në Ditën e Dëshmorëve të Ferizajt, ndërsa nisma ishte nisur më 18 korrik me synimin që “Ferizaj” të jetë emërtimi i vetëm zyrtar i qytetit.
Gjatë dorëzimit, Fazliu dhe përfaqësues të nismës kanë kërkuar që Kuvendi i Kosovës ta shqyrtojë peticionin dhe të marrë vendim për largimin e emrit “Uroševac” nga përdorimi zyrtar.
“Janë mbledhur 14 mijë e 140 nënshkrime të qytetarëve të Ferizajt. Nuk besojmë se do të hasim në vesh të shurdhër, pasi kemi mbështetje nga i gjithë spektri politik në Ferizaj dhe nga komunitetet joshumicë”, u tha gjatë dorëzimit të peticionit, raporton Telegrafi.
Sipas organizatorëve, iniciativa ka marrë mbështetje nga subjektet politike në Ferizaj, si dhe nga komunitetet joshumicë.
Ata kanë deklaruar se emri “Uroševac” është një “relikt i pushtuesit serb” dhe se peticioni për Ferizajn mund të jetë vetëm hapi i parë për nisma të ngjashme në pjesë të tjera të Kosovës.
“Ne nuk kemi asnjë obligim t’i mbajmë reliktet e pushtuesit serb, siç është në këtë rast emri ‘Uroševac’. Emra të tillë ka në mbarë Kosovën dhe ky është vetëm fillimi”, deklaruan organizatorët.
Peticioni tashmë i është dorëzuar Kuvendit të Kosovës, ku pritet të shqyrtohet në përputhje me procedurat për peticionet. /Telegrafi/