Pas një viti pune, kursimesh dhe sakrificash larg familjeve, diaspora kosovare vazhdon të jetë një nga burimet më të mëdha të kapitalit që hyn në Kosovë.
Vetëm gjatë vitit 2025, në vend kanë hyrë 1.4137 miliardë euro në formë remitencash – shuma më e lartë e regjistruar ndonjëherë.
Por, pas këtyre miliardave qëndron një realitet që shkon përtej statistikave. Paratë e dërguara nga mërgimtarët janë të ardhura të krijuara nga puna e mijëra kosovarëve jashtë vendit dhe, për shumë familje në Kosovë, vazhdojnë të jenë burim i rëndësishëm i të ardhurave dhe konsumit.
Për një dekadë, remitencat kanë shënuar rritje të vazhdueshme. Por, krahas rritjes së shumës së parave që diaspora sjell në Kosovë, shtrohet një pyetje tjetër: ku po përfundojnë këto para dhe sa prej kapitalit të diasporës po shndërrohet në investime produktive, vende pune dhe zhvillim afatgjatë?
Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës për periudhën 2015–2025 tregojnë një rritje të madhe si të remitencave, ashtu edhe të investimeve. Por, në mesin e këtyre investimeve, patundshmëritë zënë një peshë gjithnjë e më të madhe.
Në vitin 2015, diaspora dërgoi 665.5 milionë euro remitenca në Kosovë. Dhjetë vjet më vonë, në vitin 2025, kjo shumë arriti në 1.4137 miliardë euro.
Kjo paraqet një rritje prej 748.2 milionë eurosh, ose 112.4 për qind.
Ndërkohë, investimet direkte në patundshmëri nga diaspora u rritën nga 152.7 milionë euro në vitin 2015 në 771.1 milionë euro në vitin 2025.
Pra, për një dekadë, këto investime u rritën për 618.4 milionë euro, ose rreth 405 për qind.
Me fjalë të tjera, ndërsa remitencat pak më shumë se u dyfishuan, investimet direkte në patundshmëri nga diaspora u rritën rreth pesëfish.
BQK-ja, në një përgjigje për Telegrafin, ka sqaruar se remitencat regjistrohen si transfere personale ndërmjet ekonomive familjare rezidente dhe jorezidente dhe se, për nga natyra, ato shërbejnë kryesisht si mbështetje financiare për ekonomitë familjare, ndërsa mund të përdoren për konsum, investime ose nevoja të tjera individuale.
Patundshmëritë, destinacioni kryesor i kapitalit investues të diasporës
Një tjetër trend i rëndësishëm që vërehet gjatë analizimit të investimeve të diasporës në Kosovë është rritja e vazhdueshme e investimeve direkte në patundshmëri, të cilat gjatë dekadës së fundit kanë shënuar një zgjerim të konsiderueshëm, veçanërisht pas vitit 2020, duke zënë një pjesë gjithnjë e më të madhe të investimeve të huaja direkte në vend.
Në vitin 2015, investimet direkte në patundshmëri arritën në 152.7 milionë euro, ndërsa një vit më vonë, në vitin 2016, kjo vlerë shënoi një rënie të lehtë, duke zbritur në 143.6 milionë euro. Megjithatë, ky trend nuk vazhdoi gjatë, pasi në vitin 2017 investimet u rritën në 154.2 milionë euro, për të shënuar një rritje edhe më të theksuar gjatë dy viteve pasuese.
Në vitin 2018, investimet në patundshmëri arritën në 205.3 milionë euro, ndërsa në vitin 2019 u rritën më tej, duke kapur vlerën prej 223.5 milionë eurosh. Edhe pse gjatë vitit 2020, kur pandemia e COVID-19 shkaktoi pasiguri të mëdha ekonomike në nivel global, investimet në këtë sektor shënuan një rënie të lehtë në 200.4 milionë euro, kjo periudhë u pasua nga një rritje dukshëm më e shpejtë.
Grafikon / Si është rritur trendi i remitencave 2015-2025
Pas vitit 2020, investimet direkte në patundshmëri nisën të rriten me ritëm të përshpejtuar, duke arritur në 381.9 milionë euro në vitin 2021, ndërsa në vitin 2022 u rritën më tej, duke kapur vlerën prej 511.9 milionë eurosh. Në vitin 2023, këto investime mbetën pothuajse në të njëjtin nivel, me 510.3 milionë euro, përpara se të shënonin një rritje të re dhe të konsiderueshme gjatë dy viteve pasuese.
Në vitin 2024, investimet direkte në patundshmëri arritën në 645.7 milionë euro, ndërsa në vitin 2025 shënuan vlerën më të lartë të dekadës, duke u rritur në 771.1 milionë euro. Krahasuar me vitin 2015, kur investimet në këtë sektor ishin 152.7 milionë euro, kjo paraqet një rritje prej 618.4 milionë eurosh, duke dëshmuar zgjerimin e ndjeshëm të kapitalit të investuar në patundshmëri gjatë kësaj periudhe.
Të dhënat tregojnë se investimet e huaja direkte në Kosovë, në përgjithësi, janë rritur nga 308.9 milionë euro në vitin 2015 në 1.095 miliardë euro në vitin 2025, që përfaqëson një rritje prej 786.1 milionë eurosh, ose rreth 254.5 për qind, gjatë kësaj dekade.
Ndërkohë, pesha e investimeve direkte në patundshmëri në raport me totalin e investimeve të huaja direkte ka shënuar një rritje të konsiderueshme, pasi në vitin 2015 ato përbënin rreth gjysmën e vlerës së përgjithshme të IHD-ve në Kosovë, ndërsa në vitin 2025 kjo pjesë arriti në rreth 70.4 për qind, duke treguar se patundshmëritë kanë marrë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në strukturën e investimeve direkte në vend.
Këto shifra tregojnë është se, gjatë dekadës së fundit, investimet direkte në patundshmëri kanë zënë një peshë gjithnjë e më të madhe në ekonominë e Kosovës dhe se kapitali i lidhur me diasporën, përmes investimeve në këtë sektor, ka marrë një rëndësi të shtuar në strukturën e përgjithshme të investimeve direkte në vend.
Çfarë thotë Fondi Monetar Ndërkombëtar?
Në raportin e vitit 2026, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) vëren se deficiti i llogarisë korrente të Kosovës gjatë periudhës janar–nëntor 2025 u zgjerua, kryesisht për shkak të rritjes së importeve të mallrave. Sipas FMN-së, ky deficit u financua, ndër të tjera, përmes huamarrjes dhe investimeve të huaja direkte në sektorin jo të tregtueshëm, kryesisht nga diaspora.
Në një dokument tjetër, FMN-ja thekson se rreth 80 për qind e investimeve të huaja direkte lidhen me operacionet e pasurive të paluajtshme dhe financohen nga diaspora. (FMN)
Këto të dhëna tregojnë se patundshmëria është një nga kanalet kryesore përmes të cilave kapitali i diasporës hyn në ekonominë e Kosovës.
Sipas FMN-së, ekonomia e Kosovës vazhdon të karakterizohet nga konsumi i lartë i familjeve dhe importet e mëdha.
Në vitin 2024, rritja ekonomike u mbështet nga konsumi privat, i nxitur nga rritja e të ardhurave dhe kreditimit. FMN-ja vuri në dukje se zgjerimi i konsumit dhe investimeve solli edhe rritje të importeve dhe thellim të deficitit të llogarisë korrente.
Në raportin e vitit 2026, FMN-ja e vlerëson deficitin e llogarisë korrente të Kosovës në 9.2 për qind të PBB-së për vitin 2025, ndërsa remitancat përbënin 12.4 për qind të PBB-së, sipas të dhënave të saj.
Banka Botërore, ndërkaq, vlerëson se modeli aktual i rritjes ekonomike të Kosovës, i mbështetur në konsum, remitanca dhe investime në sektorë jo të tregtueshëm, nuk mjafton për të gjeneruar produktivitetin, punësimin dhe qëndrueshmërinë e nevojshme për të arritur standardet e Bashkimit Evropian.
Pra, çështja nuk është nëse remitancat janë të dobishme për ekonominë. Ato përbëjnë një burim të rëndësishëm të ardhurash dhe mbështetjeje për familjet.
Si po ndryshon mentaliteti investues i diasporës
Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit thonë se, krahas investimeve tradicionale në patundshmëri dhe gastronomi, vitet e fundit po vërehet një interesim në rritje i diasporës për sektorë produktivë.
Oda Ekonomike e Kosovës, në një përgjigje për Telegrafin, ka thënë se po vërehet një ndryshim në mentalitetin investues të diasporës.
Sipas OEK-ut, nëse në dekadën e kaluar interesi i diasporës ishte i përqendruar kryesisht në patundshmëri dhe gastronomi, sot ka më shumë interesim për energjinë, prodhimin, teknologjinë e informacionit, përpunimin e drurit dhe metaleve, si dhe turizmin.
OEK-u thekson se ky interesim po shoqërohet edhe me përpjekje për lidhjen më të strukturuar të bizneseve të Kosovës me kapitalin e diasporës, përmes takimeve B2B dhe Platformës B2B Kosovë–Diasporë.
Grafikon / Përqindja për shtetet kryesore që kanë sjellur më së shumti remitenca në Kosovë
Sipas kësaj ode, diaspora nuk duhet parë vetëm si burim remitencash, por gjithnjë e më shumë si potencial për investime, transferim të njohurive dhe qasje në tregjet ndërkombëtare.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë për Telegrafin se, pavarësisht vullnetit për investime, diaspora përballet me një sërë barrierash strukturore.
Ai ka përmendur burokracinë dhe procedurat administrative, mungesën e informacionit të strukturuar për mundësitë e investimit, mungesën e stimujve specifikë për investitorët e diasporës, problemet me pronat dhe infrastrukturën, zvarritjet në sistemin gjyqësor dhe burokracinë në nivel lokal.
Sipas Rafunës, ka pasur raste kur investitorët kanë shfaqur interes fillestar, por janë tërhequr gjatë procesit për shkak të problemeve me pronat, vonesave në ndarjen e zonave ekonomike, procedurave administrative apo pasigurisë juridike.
“Edhe pse vullneti ekziston, investitorët nga diaspora përballen me disa pengesa-barriera strukturore që zbehin gatishmërinë e tyre për investime”, ka thënë Rafuna për Telegrafin.
Ai ka theksuar se për orientimin e kapitalit të diasporës drejt prodhimit dhe eksportit nevojiten masa konkrete, përfshirë stimuj fiskalë, lehtësim të qasjes në financa, zgjerim të instrumenteve garantuese dhe krijimin e mekanizmave të veçantë për investimet e diasporës.
Rafuna ka propozuar gjithashtu krijimin e një Fondi të Investimeve të Diasporës, përmes të cilit kapitali i mërgatës do të mund të orientohej në projekte të infrastrukturës, energjisë dhe industrisë.
Një tjetër propozim i OEK-ut është digjitalizimi i procedurave dhe krijimi i një kanali “fast-track” për investitorët e diasporës, në mënyrë që regjistrimi dhe pajisja me leje të biznesit të mund të kryhen më shpejt dhe pa nevojën për prezencë të zgjatur fizike në Kosovë.
“Diaspora nuk është vetëm ‘burim financimi’, por është ‘shkollë-përvojë’, sepse përveç parasë, ata sjellin në Kosovë kulturën perëndimore të të bërit biznes, disiplinën në punë, standardet e larta të menaxhimit dhe, mbi të gjitha, rrjetin e klientëve jashtë vendit”, ka thënë Rafuna për Telegrafin.
Diaspora nuk duhet të matet vetëm me remitencat
Edhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu, thotë se kontributi real i diasporës është shumë më i madh sesa shuma e remitencave të regjistruara në statistikat financiare.
Sipas tij, një pjesë e rëndësishme e kontributit ekonomik të diasporës nuk reflektohet domosdoshmërisht në shifrat e remitencave.
“Është mëkat që kjo diasporë të analizohet vetëm nga dimensioni financiar, por jo edhe nga dimensionet e tjera për të cilat Kosova ka nevojë”, ka thënë Gërxhaliu për Telegrafin.
Ai ka theksuar se diaspora sjell në Kosovë jo vetëm kapital financiar, por edhe edukim, kulturë pune, përvojë profesionale dhe lidhje me tregjet ndërkombëtare.
Gërxhaliu ka ngritur shqetësimin se një pjesë e madhe e parave që hyjnë nga diaspora përfundojnë në konsum, në një ekonomi që vazhdon të jetë e varur nga importi.
Sipas tij, institucionet duhet të krijojnë politika që do ta orientonin një pjesë më të madhe të këtij kapitali drejt prodhimit dhe krijimit të vendeve të reja të punës.
“Është obligim moral që institucionet tona të bëjnë më tepër, të parkojnë pak kohë për të stimuluar investimet e diasporës, sepse në qoftë se nuk investon diaspora në Kosovë, si mund të vijnë investitorë dhe investime të huaja?”, ka thënë Gërxhaliu për Telegrafin.
Për Gërxhaliun, problemi kryesor nuk qëndron te mungesa e kapitalit, por te kushtet në të cilat ai duhet të investohet.
Ai ka renditur mungesën e stabilitetit politik, mungesën e një perspektive të qartë për zhvillim ekonomik dhe një diplomaci jo mjaftueshëm aktive si disa nga faktorët që ndikojnë në klimën e investimeve.
Sipas tij, Kosova duhet të ndërtojë një diplomaci ekonomike më aktive dhe profesionale, e cila do ta promovonte vendin si destinacion për investime dhe jo vetëm përmes agjendave politike.
“Arsyet kyçe pse jemi në këtë stad të zhvillimit ekonomik janë mungesa e stabilitetit politik, mungesa e një perspektive për zhvillim ekonomik dhe një diplomaci inerte, e cila shumë më tepër e promovon interesin e partive politike sesa të shtetit”, ka thënë Gërxhaliu për Telegrafin.
Ai ka kritikuar gjithashtu politizimin e diasporës dhe ka thënë se institucionet duhet ta trajtojnë atë para së gjithash si potencial ekonomik dhe jo vetëm si bazë elektorale.
“Lufta më e madhe bëhet sot jo për të unifikuar interesat e diasporës apo për ta motivuar diasporën, por për ta politizuar diasporën, që çdo gjë të jetë e orientuar vetëm në kalkulim për vota”, ka deklaruar Gërxhaliu.
Gërxhaliu vlerëson se orientimi i kapitalit të diasporës drejt prodhimit dhe eksportit është një nga sfidat kryesore të ekonomisë kosovare.
Grafikon / Çka po investohet më së shumti
Ai ka argumentuar se Kosova vazhdon të ketë një hendek të madh mes importeve dhe eksporteve dhe se kapitali i diasporës mund të luajë rol në ndryshimin e këtij raporti.
Sipas tij, duhet të krijohet një pako e veçantë për investitorët nga diaspora, me politika që do t’i nxisnin ata të investojnë në prodhim, teknologji dhe sektorë me vlerë të shtuar.
“Vetëm kur fillon të investojë diaspora në prodhim, në krijimin e vendeve të reja të punës, në teknologji moderne dhe në përmirësimin e bilancit të pagesave, ne mund të shpresojmë për një rimëkëmbje të shpejtë”, ka thënë Gërxhaliu.
Ai ka përmendur si shembuj vendet e rajonit, duke argumentuar se Kosova duhet të ketë një strategji më të qartë për rritjen e prodhimit dhe eksporteve.
Nga remitencat te investimet
Të dhënat e dekadës së fundit tregojnë se diaspora po sjell gjithnjë e më shumë kapital në Kosovë, por pyetja kryesore mbetet se sa nga ky kapital mund të shndërrohet në kapacitete të reja prodhuese, kompani konkurruese, vende pune dhe eksporte.
Në njërën anë janë 1.4137 miliardë euro remitenca të dërguara gjatë vitit 2025, ndërsa në anën tjetër janë 771.1 milionë euro investime direkte në patundshmëri. Midis tyre qëndron një potencial më i gjerë ekonomik, që përfshin kapitalin financiar, përvojën profesionale, njohuritë, rrjetet e biznesit dhe lidhjet me tregjet ndërkombëtare që diaspora mund t’i sjellë në Kosovë.
Prandaj, sfida për institucionet e Kosovës nuk është vetëm të sigurojnë vazhdimësinë e remitencave, por të krijojnë kushte që një pjesë më e madhe e këtij kapitali të kalojë nga konsumi në investim, nga patundshmëria në prodhim dhe nga kapitali privat në vende të reja pune dhe eksporte.
Nëse remitencat dëshmojnë lidhjen e fortë ekonomike të diasporës me Kosovën, mënyra se si ky kapital përdoret do të përcaktojë nëse kjo lidhje do të mbetet kryesisht mbështetje për familjet apo do të shndërrohet në një motor më të fuqishëm të zhvillimit ekonomik./Telegrafi/