Dy persona raportohet të kenë gjetur vdekjen pas një aksidenti në autostradën 96, pranë Buchloe-s në rajonin Ostallgäu, të Gjermanisë, pasi autobusi i tyre turistik doli nga rruga dhe u përmbys.
Veç tyre, shumë anëtarë të tjerë të grupit turistik filipinas mbetën të lënduar, sipas një zëdhënëseje të Drejtorisë së Policisë së Bavarisë së Sipërme Veriore, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Aktualisht kemi tetë persona me lëndime të rënda dhe shumë të tjerë me lëndime të lehta”, citohet të ketë thënë ajo.
Siç raportohet më tej, një nga të lënduarit rëndë ndodhet në gjendje kritike.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, rreth orës 06:00 të mëngjesit, një autobus turistik i një kompanie italiane doli nga rruga në të djathtë ndërsa udhëtonte drejt Mynihut, midis nyjeve lidhëse Buchloe-Ost dhe Landsberg am Lech-West; në aksident nuk u përfshinë automjete të tjera.
Autobusi u përmbys në anë të rrugës dhe përfundoi pranë një kanali kullues përgjatë autostradës.
Sipas raporteve fillestare, autobusi po udhëtonte nga Cyrihu drejt Milanos.
Në bord theksohet se ndodheshin rreth 40 deri në 50 persona, të gjithë shtetas filipinas dhe dy personat që humbën jetën ishin pasagjerë të autobusit.
Shoferi nuk ishte mes viktimave, shtoi zëdhënësja.
“Prioriteti tani është operacioni i shpëtimit dhe ofrimi i kujdesit për personat e përfshirë në aksident”, ka bërë të ditur zëdhënësja mëngjesin e sotëm.
Autostrada u mbyll plotësisht në të dyja drejtimet për të mundësuar operacionet e shpëtimit dhe në vendngjarje ndodhej një kontingjent i madh i ekipeve të emergjencës.
Ndërkohë, shkaku i aksidentit mbeti i paqartë ndërkohë që Prokuroria ka urdhëruar hartimin e një raporti analitik për të përcaktuar shkakun e aksidentit. /Telegrafi/