Dy persona janë plagosur me armë zjarri dhe një tjetër është lënduar nga një mjet i mprehtë në magjistralen Prishtinë-Ferizaj.
Rasti është konfirmuar për Telegrafin nga zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.
“Sot, rreth orës 05:00, Policia ka pranuar informatën për të shtëna me armë zjarri në magjistralen Prishtinë–Ferizaj. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore.
Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast janë lënduar tre persona, dy prej të cilëve dyshohet se janë plagosur nga arma e zjarrit, ndërsa një person dyshohet se është lënduar nga një mjet i mprehtë. Të njëjtit janë dërguar për tretman mjekësor”, tha ai.
Njësitet relevante policore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë duke ndërmarrë veprimet e mëtejme hetimore. /Telegrafi./