Propozimi që automjetet të ppaguajnë nga 2 euro për hyrje në zonën qendrore të Prishtinës ka nxitur debat në mbledhjen e Kuvendit Komunal, me përfaqësuesit e partive politike që kanë paraqitur qëndrime të ndryshme rreth kësaj mase.
Drejtori i Zhvillimit Ekonomik dhe Inovacionit, Luftar Braha, e ka mbrojtur propozimin, duke thënë se masa të tilla janë të aplikueshme në qindra qytete në botë. Ai ka përmendur si shembuj Ljubljanën dhe Tiranën.
Sipas Brahës, qëllimi i tarifës lidhet me menaxhimin e hyrjes së automjeteve në zonën qendrore, ndërsa ka theksuar se qytetarët mund të shfrytëzojnë parkingun te Pallati i Rinisë pa pagesën e kësaj tarife.
Ndaj propozimit ka dalë kundër Lëvizja Vetëvendosje. Anëtarja e Kuvendit Komunal, Nexhmije Gjema, ka deklaruar se përcaktimi i kësaj zone do ta ngushtonte hapësirën e qarkullimit në kryeqytet.
Ajo ka paralajmëruar se trafiku mund të zhvendosej në rrugët alternative, duke sjellë, sipas saj, ngarkesë më të madhe në komunikacion dhe ndikim në ndotjen e ajrit.
Edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës është kërkuar ndryshim në mënyrën e aplikimit të tarifës. Përfaqësuesit e këtij subjekti kanë kërkuar që të shqyrtohen përjashtime për banorët e Prishtinës, në mënyrë që tarifa të mos aplikohet ndaj të gjithë qytetarëve që hyjnë në zonën e përcaktuar.
Sipas planifikimit të Komunës, pagesa prej dy eurosh do të lidhej me hyrjen e automjeteve në zonën e unazës së brendshme, ku përfshihen rrugët “Fehmi Lladrovci”, “Xhevë Lladrovci”, “Afrim Zhitia”, “Agim Ramadani”, “Ilir Konushevci”, “Hekurudha”, “Sami Plakolli”, “Zagrebi”, “Tirana”, “Jusuf Gërvalla” dhe “5 Maji”. /Telegrafi/
– YouTube www.youtube.com