Komiteti për Politikë dhe Financa në Komunën e Obiliqit ka votuar pro propozimit për mbështetje mujore prej 100 eurosh për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe çrregullime në zhvillim.
Lajmin e ka bërë të ditur nënkryetari i Komunës së Obiliqit, Berat Gashi, i cili ka njoftuar se propozimi është rekomanduar për shqyrtim dhe votim në Kuvendin Komunal.
Sipas Gashit, mbështetja do të përfshijë fëmijët me aftësi të kufizuara, çrregullime në zhvillim, Sindromën Down, autizëm dhe forma të tjera të aftësisë së kufizuar.
“100 euro në muaj. Çdo muaj. Për fëmijët me nevoja të veçanta”, ka shkruar Gashi.
Ai ka falënderuar anëtarët e Komitetit për Politikë dhe Financa për mbështetjen dhe votën.
Propozimi tash pritet të shqyrtohet dhe të hidhet në votim në Kuvendin Komunal të Obiliqit. /Telegrafi/