Besfort Biljali është shpallur fitues i çmimit kryesor “Entrepreneur of the Year 2026” në Swissalbs Award Gala Night 2026, që u mbajt sonte në Kongresshaus Zürich.
Biljali, bashkëthemelues i Lumvin AG dhe përgjegjës për shitjet në kompani, u vlerësua me çmimin kryesor të mbrëmjes për arritjet e tij në sipërmarrje.
Lumvin është kompani zvicerane që zhvillon zgjidhje të qëndrueshme LED dhe inxhinierike, me fokus në ripërdorimin e sistemeve ekzistuese të ndriçimit, duke i bërë ato më efikase në energji dhe më të qëndrueshme. Kompania ishte shpallur gjithashtu fituese e Swiss Economic Award 2025.
Në kuadër të Swissalbs Award Gala Night 2026 u ndanë çmime në tri kategori kryesore: Entrepreneur Award 2026, Academic Excellence Award 2026 dhe Community Hero Award 2026, duke vlerësuar arritjet dhe kontributin e shqiptarëve në Zvicër.
Në kategorinë Academic Excellence Award 2026, fituese u shpall Shkurta Gashi, Dr. Sc. në Artificial Intelligence and Digital Health në ETH Zürich.
Në kategorinë Academic Excellence Award 2026, fituese u shpall Shkurta Gashi
Ky vlerësim, i mbështetur nga Albanian Engineering of Switzerland (AES), synon jo vetëm të nderojë sukseset individuale të shqiptarëve në Zvicër, por edhe të promovojë dijen, kërkimin dhe inovacionin, duke shërbyer njëkohësisht si frymëzim për gjeneratat e reja.
Ndërkaq, çmimi Community Hero Award 2026 iu nda Ridvan Muratit, aktor, producent dhe veprimtar kulturor me një karrierë të gjatë mes Kosovës dhe Zvicrës.
Murati është aktiv në skenën artistike dhe kulturore që nga viti 2000. Në Zvicër ka qenë pjesë e produksioneve filmike dhe televizive si “Tatort” dhe “Eden für jeden”, ndërsa publiku shqiptar e njeh edhe si aktor dhe producent të serialeve “O Sa Mirë” dhe “Sha je tu folen”.
Ai është gjithashtu themelues dhe drejtor i Zürich Shqip Up Comedy Festival, një projekt që bashkon artistë shqiptarë dhe promovon shkëmbimin kulturor mes diasporës shqiptare dhe vendeve ku ajo jeton. Përmes angazhimit të tij në projekte kulturore, Murati ka qenë aktiv në krijimin e urave mes komunitetit shqiptar dhe shoqërisë zvicerane.
Swissalbs Award Gala Night 2026 mblodhi në Zürich sipërmarrës, profesionistë, akademikë dhe personalitete të komunitetit shqiptaro-zviceran, duke vënë në qendër arritjet e tyre në ekonomi, shkencë dhe komunitet.
Telegrafi.com – Edicioni i Diasporës është partner medial i Swissalbs Award Gala Night 2026.