Gianluigi Buffon ka fituar pothuajse gjithçka që mund të fitojë një futbollist, por në moshën 48-vjeçare ka vendosur të përmbushë një objektiv që e kishte lënë pas dore shumë vite më parë.
Legjenda italiane ka vendosur të rikthehet në bankat e shkollës për ta përfunduar arsimin e mesëm në mënyrë të rregullt. Një vendim që vjen pas një episodi nga rinia e tij, kur në moshën 18-vjeçare kishte paguar për ta përfunduar shkollën.
Buffon e ka pranuar hapur se kjo është diçka për të cilën nuk ndihet krenar. Në një intervistë për Corriere della Sera, ish-portieri italian ka shpjeguar se tani dëshiron ta përfundojë atë që nuk e bëri siç duhej atëherë.
Vendimin e ka marrë për veten, por edhe për prindërit e tij dhe fëmijët. Për Buffonin, ky hap është gjithashtu një mënyrë për të dhënë një shembull për gjeneratat e reja dhe veçanërisht për sportistët e rinj.
Karriera e tij në futboll është e mbushur me arritje të jashtëzakonshme. Buffon është kampion bote me Italinë, ka fituar dhjetë tituj të Serie A dhe ka koleksionuar një numër të madh trofesh gjatë një karriere të gjatë në nivelet më të larta.
Por këtë herë sfida e tij nuk zhvillohet në një stadium. Në moshën 48-vjeçare, Buffon po kthehet në shkollë për të marrë atë që dikur nuk e arriti në mënyrën e duhur.
Ai ka theksuar se nuk është person që kërkon rrugë të shkurtra drejt suksesit dhe se blerja e diplomës së shkollës së mesme është një veprim për të cilin nuk ndihet krenar./Telegrafi/