Dogana e Malit të Zi ka njoftuar se ka parandaluar tranzitin e tre kontejnerëve me mish të skaduar, shkruajnë mediat malazeze.
Sipas njoftimit, u konstatua se tre kontejnerët në fjalë – që përmbanin mish viçi të ngrirë të destinuar për një blerës nga Kosova, ishin hequr nga mbikëqyrja doganore pa autorizimin e autoritetit doganor, transmeton Telegrafi.
“Inspektimi i mëtejshëm zbuloi se, në një objekt frigoriferik në Portin e Tivarit (Bar), punonjës të angazhuar nga kompania me bazë në Kosovë po përdornin mjete për të hequr dhe vendosur etiketa; ata hiqnin deklaracionet origjinale – të cilat tregonin se afati i përdorimit të mishit të ngrirë kishte skaduar – dhe vendosnin deklaracione të reja e të falsifikuara, që tregonin një datë të re dhe të ndryshuar skadimi. Administrata Doganore njoftoi menjëherë Administratën për Sigurinë e Ushqimit, Çështjet Veterinare dhe Fitosanitare, si dhe Administratën e Policisë të Malit të Zi lidhur me këtë incident; të dyja agjencitë janë tashmë të përfshira në procedurat e mëtejshme brenda kompetencave të tyre përkatëse,” thuhet në njoftim.
Sipas të dhënave, një sërë biznesesh të përpunimit të mishit në Mal të Zi furnizohen me produkte nga subjekti juridik i lartpërmendur me bazë në Kosovë dhe aktualisht po zhvillohen përpjekje intensive për të zbardhur të gjitha faktet përkatëse dhe për të përcaktuar shtrirjen e mundshme të shpërndarjes së mallrave në fjalë.
“Pasi autoritetet kompetente të përfundojnë procedurat e tyre, publiku do të informohet në mënyrë të detajuar dhe në kohën e duhur lidhur me faktet e konstatuara dhe masat e marra”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/