Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës kanë dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë e Shtetit ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe administratës së tij, duke iu referuar gjetjeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Prishtinës.
Sipas asamblistit të LVV-së, Feim Osmani, raporti i ZKA-së përmban më shumë se 26 gjetje, ndërsa një pjesë e tyre janë përsëritje të vërejtjeve të evidentuara edhe në raportet e mëparshme të auditimit, raporton Telegrafi.
“Siç e dini edhe siç e patët edhe ju, ne e dorëzuam një kallëzim penal në drejtim të kryetarit të Komunës së Prishtinës dhe administratës së tij në Kryeprokurorinë e Kosovës. Kallëzimi penal ka të bëjë me raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit, e cila mbulon periudhën 2023–2025, e cila është përfunduar në vitin 2024. Ka më shumë se një vit që ky raport është publik. Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur një mori shkeljesh, specifikisht më shumë se 26 shkelje të raportuara, e çka është shumë shqetësuese, një pjesë e madhe afërsisht gjysma e tyre janë shkelje të përsëritura, gjetje të përsëritura, për të cilat në raportet e mëparshme e njëjta zyrë ka dhënë vërejtje Komunës së Prishtinës, mirëpo që të njëjtat nuk janë marrë parasysh dhe janë përsëritur sërish”, tha Osmani.
Ai tha se LVV-ja ka veçuar gjashtë raste nga raporti, për të cilat pretendon se mund të ketë elemente të veprave penale. Sipas tij, 14 gjetje janë evidentuar për herë të parë.
“14 nga to janë shkelje për herë të parë që janë evidentuar. Ne i kemi trajtuar me prioritet së paku gjashtë nga to, për të cilat besojmë se është konsumuar tashmë vepra penale. Ka të bëjë me tjetërsim të pronave, me pagesa pa u kryer punët për operatorët e ndryshëm, me stafin e deklaruar në menaxhim të kontratave të ndryshëm nga ata që e kanë përfunduar ose i kanë nënshkruar kontratat më pas, me dhënien në shfrytëzim të hapësirave publike pa vendim të Kuvendit Komunal, e shumë të gjetura të tjera të cilat janë të përfshira gjithsej në 69 faqe raport, e që ne sot e dorëzuam në prokurori dhe presim që hetimet të zhvillohen dhe të merren masat adekuate nga personat përgjegjës, nga ata që duhet ta bëjnë punën e vet”, deklaroi ai.
Osmani tha se LVV-ja e konsideron raportin si dokument që përmban gjetje serioze sa i përket respektimit të procedurave dhe ligjeve në Komunën e Prishtinës.
“Ne si asambleistë të Komunës së Prishtinës, si asambleistë të Vetëvendosjes, jemi të bindur se brenda atij raporti ka shkelje të rënda të procedurave, të shkeljes së ligjeve në Kosovë e çështje të ndryshme, me të cilat natyrisht do të duhet të merret prokuroria. Raporti është publik edhe në faqen e komunës, edhe në faqet e shumë organizatave që e monitorojnë punën e Prishtinës”, tha Osmani.
Sipas tij, raporti përfshin çështje që lidhen me financat, tenderët dhe procedurat administrative të komunës.
“Jam i sigurt që deri tani një pjesë e madhe e opinionit ka mundur ta shohë dhe është afërsisht i njoftuar me gjithë marifetin që përmban ky dokument prej 69-faqesh, i cili zyrtarisht e monitoron Komunën e Prishtinës në aspektin e financave, tenderimit e shumicës së procedurave me të cilat vepron administrata komunale e Prishtinës. Aty qartësisht përcaktohet edhe roli i kryetarit të komunës në parandalimin e bërjes ose konsumimit të veprave penale, mirëpo edhe në rast se ka urdhëruar apo kanë ndodhur me lejen e tij”, u shpreh ai, përcjell Telegrafi.
I pyetur nëse LVV-ja ka dorëzuar prova të reja në Prokurori, Osmani tha se baza e kallëzimit është raporti i publikuar i Zyrës Kombëtare të Auditimit.
“Është detyra jonë ta dorëzojmë, edhe pse e ceka edhe më herët se raporti është publik dhe organet e hetimeve, të drejtësisë e të gjitha me radhë, kanë mundur ta shohin dhe të merren me këtë edhe pa kallëzim penal. Mirëpo, puna jonë është ta dorëzojmë dokumentin deri këtu në emër të kallëzimit penal e besoj që prokuroria do ta kryejë punën e vet. Faktet e reja s’ka nevojë të ketë sepse dokumenti është i njëjti. Ai ka dalë nga Zyra e Auditorit Kombëtar tashmë pothuajse një vit dhe ai nuk ndryshon, është i njëjti dokument. Gjetjet janë ato që ne i kemi konstatuar”, tha ai.
Osmani bëri të ditur se në kallëzimin penal janë specifikuar rastet që, sipas LVV-së, përmbajnë elemente të veprave penale, ndërsa raporti i plotë i auditorit është dorëzuar bashkë me dokumentacionin.
“Ato që i kemi caktuar në aktakuzë janë ato që kemi menduar se janë konsumim i veprave penale, ndërsa pjesa tjetër e raportit është me referenca dhe e kemi dorëzuar të tërin tek Kryeprokurori. Kështu që një kallëzim penal besoj se do të mund ta dorëzojmë edhe para jush, këtu e kemi me vete. Kështu që e gjithë puna që ne kemi pasur për obligim e detyrë ta bëjmë, besoj se ka përfunduar sot këtu, pasi që dokumentin e kemi përpunuar, kallëzimin penal po ashtu, dhe e kemi dorëzuar para organeve të drejtësisë”, deklaroi Osmani.
Osmani përmendi edhe disa prej gjetjeve që LVV-ja i konsideron më serioze.
“Siç e ceka, ka shumë shkelje, mirëpo unë edhe paraprakisht u përgjigja se janë gjashtë evidentime që ne i kemi bërë i kemi evidentuar në kallëzimin penal. Është çështja e gabimeve më shumë se 7% në llogaritjen e tenderit për sheshin ‘Xhorxh Bush’, ku vlera financiare është përmbi 1 milion e 200 mijë euro. Është dhënia pa aprovim të kuvendit komunal të hapësirës publike dhe të një shume prej 5.12 milionë eurosh që ia ka dhënë Komuna e Prishtinës UNDP-së”, tha ai.
Sipas Osmanit, një tjetër çështje e përmendur në raport ka të bëjë me pagesa për punë të cilat, sipas tij, auditori nuk i ka gjetur të realizuara në terren.
“Është pastaj pagesa për disa punë që në terren auditori nuk i ka gjetur — ato ose janë dëmtuar ashtu siç e paraqet arsyetimin Komuna e Prishtinës, ose nuk janë përfunduar fare — që është detyrë e prokurorisë dhe e hetuesisë të dalë e ta verifikojë gjendjen reale në terren. Siç e thashë edhe më parë, ka kontrata për të cilat si palë menaxheriale e komunës ka qenë e caktuar dikush tjetër, mirëpo menaxhimin më pastaj e ka marrë dikush tjetër nga stafi i inxhinierëve të komunës, e shumë probleme të tjera të cilat i ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit, e që ne sot i kemi bërë kallëzim penal”, u shpreh Osmani. /Telegrafi/