La Liga ka publikuar Limitet e Kostos së Skuadrës (LCPD) pas përfundimit të afatit kalimtar të verës, duke treguar fuqinë financiare që kanë klubet për të përballuar kostot e skuadrave të tyre.
Në krye të listës qëndron Real Madridi, i cili ka vendosur një rekord të ri me një limit prej 832 milionë eurosh. Klubi madrilen vazhdon të jetë skuadra me fuqinë më të madhe shpenzuese në La Liga, duke e rritur ndjeshëm kapacitetin e tij financiar krahasuar me afatet e mëparshme, kur limiti ishte 761 milionë euro.
Pas tyre renditet Barcelona, e cila vazhdon të përmirësojë situatën e saj financiare dhe tashmë vepron sipas rregullit 1:1. Limiti i katalanasve është rritur në 582 milionë euro, nga 432 milionë euro që ishte në afatin kalimtar të dimrit. Megjithatë, Barcelona mbetet 250 milionë euro prapa rivalit të saj të madh.
Në vendin e tretë është Atlético Madridi, me një limit prej 361 milionë eurosh. Rojiblancos kanë gjithashtu shënuar rritje, pasi në afatin e dimrit limiti i tyre ishte 336 milionë euro.
Kështu, tre klubet më të mëdha spanjolle janë shumë përpara pjesës tjetër të kampionatit për sa i përket kapacitetit financiar për skuadrën.
Në anën tjetër të renditjes, Sevilla ka limitin më të ulët në LaLiga, me vetëm 20 milionë euro, ndërsa pas saj vijnë Málaga me 33 milionë dhe Alavés me 43 milionë euro. Deportivo, e rikthyer në elitë, ka një limit prej 64 milionë eurosh, më shumë se disa ekipe të tjera të La Ligës.
Duhet theksuar se këto shifra nuk përfaqësojnë vetëm pagat e futbollistëve. Limiti i La Ligës përfshin pagat fikse dhe bonuset, kontributet e sigurimeve shoqërore, komisionet e agjentëve, si dhe amortizimin e kostove të transferimeve.
Përllogaritja bazohet në të ardhurat e klubit, shpenzimet jo-sportive, borxhet dhe humbjet e mbartura nga sezonet e mëparshme. /Telegrafi/