Sekretari i Ushtrisë amerikane, Dan Driscoll, ka paraqitur dorëheqjen pas rreth 18 muajsh në detyrë, në një tjetër largim të profilit të lartë nga administrata e Presidentit Donald Trump.
Sipas raportimeve të CBS, dorëheqja e Driscoll vjen pas muajsh përplasjesh me Sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth. Detajet e konfliktit mes tyre nuk janë bërë publike.
Driscoll, 41 vjeç, ishte sekretari më i ri i Ushtrisë amerikane dhe gjatë mandatit të tij u bë i njohur si “njeriu i dronëve” i Trumpit, për shkak të mbështetjes së tij të fortë për teknologjitë e reja në fushën e betejës.
Shtëpia e Bardhë e vlerësoi atë si një zyrtar “shumë efektiv” në zbatimin e agjendës së Trumpit për forcimin e ushtrisë amerikane dhe për udhëheqjen e tij gjatë operacioneve ushtarake.
Por largimi i Driscoll vjen në një periudhë të ndryshimeve të mëdha në udhëheqjen e Pentagonit. Hegseth ka larguar tashmë më shumë se një duzinë zyrtarësh të lartë ushtarakë, përfshirë shefin e Operacioneve Detare dhe zëvendësshefin e Shtabit të Forcave Ajrore.
Mes figurave të tjera që janë larguar së fundmi janë edhe Sekretari i Marinës, John Phelan, shefi i Shtabit të Ushtrisë, Randy George, gjenerali David Hodne dhe gjeneralmajori William Green.
Driscoll kishte gjithashtu një marrëdhënie të ngushtë me George, i cili, sipas raportimeve, ishte nxitur nga Hegseth të largohej nga posti.
Para se të bëhej sekretar i Ushtrisë, Driscoll kishte shërbyer në ushtrinë amerikane dhe ishte vendosur në Irak në vitin 2009, transmeton Telegrafi.
Gjatë mandatit të tij, ai luajti gjithashtu një rol të rëndësishëm në përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë, duke zhvilluar takime ndërkombëtare, përfshirë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Driscoll është gjithashtu një aleat dhe mik i afërt i zëvendëspresidentit JD Vance, të cilin e kishte njohur gjatë studimeve në Yale Law School.
Sekretari i Ushtrisë është zyrtari më i lartë civil në strukturën e Ushtrisë amerikane dhe mbikëqyr forcat aktive, Gardën Kombëtare dhe rezervistët. Largimi i Driscoll pritet të shtojë pikëpyetjet mbi stabilitetin e lidershipit ushtarak amerikan nën administratën Trump. /Telegrafi/
