Boksieri shqiptar Nelson Hysa ka shënuar një tjetër fitore të madhe në karrierën e tij, duke triumfuar me nokaut në raundin e dytë ndaj norvegjezit Thomas Narmo, i cili deri në këtë përballje ishte i pamposhtur.
Hysa triumfoi në spektaklin e zhvilluar në O2 Arena të Londrës, në një mbrëmje të veçantë për boksierin shqiptar, i cili më pas festoi fitoren e madhe së bashku me tifozët shqiptarë të pranishëm në arenë.
Narmo u nokautua vetëm 36 sekonda pas fillimit të raundit të dytë, ndërsa ai mori edhe oksigjen pas goditjes.
Pas triumfit, Hysa ka reaguar me një mesazh emocionues, duke theksuar se fitorja nuk i përket vetëm atij.
“Një natë që nuk do ta harroj kurrë! Mbrëmë në një O2 Arena të mbushur me shqiptarë, realizuam një ëndërr të madhe. U shpalla Kampion i Globit, duke fituar me KO në raundin e dytë ndaj një kundërshtari të pamposhtur”, ka shkruar Hysa.
Boksieri shqiptar ka falënderuar veçanërisht tifozët për mbështetjen dhe atmosferën e krijuar në Londër.
“Por kjo fitore nuk është vetëm e imja. Kjo është e të gjithë shqiptarëve që ishin aty, që më mbështetën dhe që e bënë atmosferën magjike. Nga zemra, faleminderit!”, ka shtuar ai.
Hysa e ka mbyllur mesazhin me një paralajmërim për të ardhmen, duke treguar se ky sukses, sipas tij, është vetëm fillimi: “Ne sapo kemi filluar… The Albanian Eagle is flying high!”, ka shkruar ai.
Hysa ka një rekord perfekt deri më tani me 25 fitore në boksion profesionist, ndërsa po kërkon bokseri të nivelit të lartë për të luftuar për titull. /Telegrafi/
