Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka lidhur marrëveshje me kompaninë shtetërore të Maqedonisë së Veriut, JSC Power Plants of North Macedonia (AD ESM), për shitjen e rreth 3 milionë tonëve qymyr.
Dokumentin e marrëveshjes, të nënshkruar më 14 gusht 2026, e ka siguruar ekskulzivisht TV Dukagjini. Marrëveshja është lidhur në kuadër të procedurës së shitjes me numër KEK-26-15-1-6-12, me titull “Sale of coal”.
Sipas dokumentit, KEK-u vlerëson se disponon rreth 3 milionë tonë qymyr, me një devijim të lejuar prej ±30 për qind. Kjo nënkupton se sasia faktike mund të jetë më e ulët ose më e lartë se sasia e parashikuar në kontratë.
“Shitësi i garanton Blerësit të drejtën për të marrë qymyr sipas sasisë së dhënë për Pikat e Grumbullimit. Sasia e parashikuar e specifikuar në dokumentet e tenderit prej tre (3) milion ton qymyr, për periudhën tre (3) vjeçare. Devijimi i lejuar nga sasia është +/-30%”, thuhet në marrëveshje.
Çmimi i përcaktuar në marrëveshje është 24.40 euro për ton, pa TVSH, ndërsa vlera e përafërt totale e kontratës është 73.2 milionë euro.
Edhe vlera totale e kontratës mund të ndryshojë me ±30 për qind, në përputhje me ndryshimin e lejuar të sasisë së qymyrit.
Marrëveshja ka kohëzgjatje prej 36 muajsh nga data e hyrjes në fuqi.
“Çmimi i përafërt total do të jetë: 73,200,000.00 €, pra 24,4 EUR për ton (në varësi të sasisë së qymyrit të nxjerrë në të vërtetë); me fjalë: (Shtatëdhjetë e tre milionë e dyqind mijë euro, pra njëzet e katër euro e dyzet cent) pa TVSH”, thuhet në marrëveshje.
Megjithatë, kontrata nuk hyn automatikisht në fuqi vetëm me nënshkrimin e saj. Sipas dokumentit, ajo bëhet efektive vetëm pasi ESM-ja të përfundojë procedurat për përzgjedhjen e operatorëve dhe të lidhë marrëveshjet për nxjerrjen dhe transportin e qymyrit. Këto procedura duhet të përfundojnë brenda 120 ditësh nga nënshkrimi i marrëveshjes.
ESM-ja duhet ta njoftojë KEK-un me shkrim për përfundimin e procedurave, lidhjen e kontratave me operatorët përkatës dhe datën e fillimit të punimeve, brenda 15 ditësh nga përfundimi i këtyre procedurave.
600 mijë tonë të garantuara
Në marrëveshje thuhet se KEK-u do t’i sigurojë blerësit kushte për nxjerrjen e pandërprerë të 600 mijë tonëve qymyr.
Për rreth 2.4 milionë tonët e tjerë, parashihet përdorimi i një fushe të përcaktuar minerare, nëse ajo vlerësohet dhe caktohet për shfrytëzim.
Nëse kjo fushë nuk përdoret, KEK-u duhet të caktojë një fushë tjetër të përshtatshme, me cilësi të garantuar sipas dokumentacionit të tenderit dhe në një distancë jo më të madhe se dy kilometra nga fusha ku parashihet nxjerrja e 600 mijë tonëve.
KEK-u gjithashtu duhet t’i sigurojë ESM-së një hapësirë pranë zonës së eksploatimit për ruajtjen, përpunimin dhe ngarkimin e qymyrit, me qasje në rrugët rajonale.
“Shitësi duhet t’i ofrojë Blerësit kushte për nxjerrjen e pandërprerë të qymyrit për shfrytëzimin e një sasie prej 600,000 ton (300,000 + 300,000), në përputhje me
studimet e projektimit (elaboratet) e Dosjes së Tenderit, përkatësisht siç janë paraqitur edhe gjatë procesit të negociatave. Ndërsa, për fushën e caktuar minerare prej 2.4 milion ton (nëse kjo fushë minerare vlerësohet dhe përcaktohet si e caktuar), Palët bien dakord që Shitësi duhet t’i ofrojë paraprakisht Blerësit dokumentacionin dhe profilet e nevojshme teknike për këtë seksion.
Nëse vendoset të mos shfrytëzohet fusha minerare prej 2.4 milion ton qymyr, atëherë Shitësi duhet të caktojë një tjetër fushë minerare brenda një afati kohor optimal dhe të përshtatshëm, me cilësi të garantuar siç specifikohet në dosjen e tenderit, në një distancë jo më të madhe se 2 km nga fusha prej 600,000 tonësh”, thuhet në marrëveshje.
Nuk ka paradhënie
Një tjetër pikë e përcaktuar në marrëveshje është se paradhënia nuk aplikohet.
Pagesat do të kryhen pas marrjes së qymyrit, përmes faturimit javor. Për secilën javë do të lëshohet faturë për sasinë e qymyrit të marrë, e shoqëruar me dokumentacionin përkatës.
Pagesa duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë nga pranimi i faturës.
Nëse sasia e qymyrit të dorëzuar dhe të papaguar arrin në 60 mijë tonë, KEK-u mund ta pezullojë furnizimin derisa detyrimet të shlyhen dhe kjo sasi të ulet nën kufirin e përcaktuar.
Marrëveshja përcakton se të gjitha pagesat do të bëhen në euro.
“Sasia totale e qymyrit të dorëzuar dhe të papaguar nuk duhet të kalojë 60,000 (gjashtëdhjetë mijë) ton. Në rast se ky limit arrihet, Shitësi do të pezullojë furnizimin e mëtejshëm derisa detyrimet e papaguara të shlyhen dhe të ulen nën këtë limit”, thuhet në marrëveshje.
“Në rast vonesash në pagesën e faturave që tejkalojnë 30 (tridhjetë) ditë nga data e marrjes së faturës, Shitësi ka të drejtë të marrë të gjitha masat e nevojshme procedurale dhe ligjore për të mbledhur shumën e duhur sipas faturës”.
Çfarë ndodh nëse ESM-ja nuk e merr qymyrin?
Kontrata i vendos blerësit edhe një detyrim të qartë për marrjen e qymyrit.
Nëse blerësi nuk e dërgon planin e autorizimit për marrjen e qymyrit brenda 15 ditësh nga hyrja në fuqi e marrëveshjes, dhe kjo nuk është pasojë e shkeljes së kontratës nga KEK-u, KEK-u mund ta konsiderojë këtë shkelje themelore dhe ta ndërpresë menjëherë marrëveshjen.
Po ashtu, nëse marrëveshja përfundon dhe blerësi nuk e ka marrë sasinë e kontraktuar brenda devijimit të lejuar prej ±30 për qind, ndërsa kjo nuk është shkaktuar nga shkelja e KEK-ut, blerësi mund të humbë sigurinë e tenderit që nuk është kredituar ndaj vlerës së qymyrit të marrë.
Marrëveshja përcakton se kontrata rregullohet sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, ndërsa çdo mosmarrëveshje që nuk zgjidhet me marrëveshje ndërmjet palëve do t’i nënshtrohet Gjykatës Komerciale në Prishtinë. /RTVD/
