Përfaqësuesi i organizatës “Albanians for America”, Gino Mulliqi, ka deklaruar se shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë nuk gëzojnë nivel të njëjtë të përfaqësimit dhe të drejtave sikurse komuniteti serb në Kosovë, duke theksuar se kjo çështje duhet të marrë më shumë vëmendje edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një intervistë në “Përballje Podcast”, Mulliqi krahasoi pozitën institucionale të komunitetit serb në Kosovë me atë të shqiptarëve në Serbi, duke veçuar përfaqësimin parlamentar, arsimin, shëndetësinë, kulturën dhe investimet.
“Serbët e Kosovës në Kuvendin e Kosovës i kanë dhjetë ulëse të garantuara”, tha Mulliqi, duke shtuar se për komunitetet ekzistojnë edhe mekanizma të tjerë të garantuar me Kushtetutën e Kosovës.
Ai përmendi gjithashtu sistemin e arsimit dhe shëndetësisë, si dhe investimet që institucionet e Kosovës bëjnë në zonat e banuara me komunitetin serb.
“Përveç kësaj, e kanë modelin e shëndetësisë, modelin e edukimit dhe modelet e investimeve të administratës së Kosovës në komunitetin serb në Mitrovicën e Veriut apo në vende të tjera ku jetojnë serbët”, u shpreh ai.
– YouTube www.youtube.com
Në anën tjetër, Mulliqi tha se shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë kanë përfaqësim dukshëm më të kufizuar në institucionet e Serbisë. Sipas tij, problemi nuk kufizohet vetëm te përfaqësimi politik.
“Shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc e kanë një ulëse në Kuvendin e Serbisë. Do të thotë se nuk janë të përfaqësuar aq sa duhet, në asnjë mënyrë dhe në asnjë pikëpamje. Nuk kanë të drejta të barabarta si minoritet, as në gjuhë, as në flamur, as në kulturë dhe as në investime strategjike në vendet ku jetojnë”, tha ai.
“Çështja e shqiptarëve nuk ngrihet si çështja e serbëve në Kosovë
Mulliqi tha se një nga problemet kryesore është fakti se pozita e shqiptarëve në Luginën e Preshevës nuk merr të njëjtën vëmendje ndërkombëtare sikurse pozita e komunitetit serb në Kosovë.
Sipas tij, pikërisht ndryshimi i kësaj qasjeje është një nga temat për të cilat po angazhohen shqiptaro-amerikanët. Ai veçoi në këtë kontekst edhe pasivizimin e adresave, për të cilin tha se duhet të ketë më shumë informim dhe angazhim ndërkombëtar.
“Çështja e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc kurrë nuk ngrihet siç ngrihet çështja e serbëve në Kosovë. Këtë jemi munduar ta ndryshojmë”, tha Mulliqi.
Mulliqi tregoi se “Albanians for America”, së bashku me përfaqësues dhe organizata të tjera shqiptare në SHBA, ka punuar që problemet e shqiptarëve të Luginës të arrijnë deri te politikëbërësit amerikanë.
Ai përmendi edhe një iniciativë në Kongresin amerikan për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin.
“Rezoluta për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc është diçka për të cilën kemi punuar një kohë shumë të gjatë”, deklaroi ai. Mulliqi foli edhe për një takim të zhvilluar në Teksas, ku, sipas tij, morën pjesë deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi me bashkëpunëtorë, si dhe Faton Bislimi.
Ai tha se takimi me një kongresmen amerikan kishte për qëllim që problemet e shqiptarëve në Serbi të paraqiteshin drejtpërdrejt para përfaqësuesve amerikanë.
Sipas Mulliqit, përfaqësuesve amerikanë duhet t’u ofrohet vazhdimisht informacion për realitetin në Luginën e Preshevës, pasi në Washington zhvillohet një betejë e vazhdueshme e narrativave për zhvillimet në rajon.
Përfaqësuesi i “Albanians for America” ka thënë gjatë intervistës se një nga arsyet e krijimit të organizatës ishte pikërisht nevoja për më shumë avokim dhe informim të Kongresit, Senatit dhe administratës amerikane për Kosovën dhe çështjet shqiptare.
Sipas tij, gjenerata e zyrtarëve amerikanë që e njihte drejtpërdrejt luftën në Kosovë dhe zhvillimet e viteve 1990 gradualisht është zëvendësuar, duke e bërë edhe më të rëndësishëm komunikimin e vazhdueshëm me institucionet amerikane.
Mulliqi tha se diaspora shqiptare në SHBA ka potencial të rëndësishëm për të ndikuar në ngritjen e çështjeve shqiptare në Kongres, Senat dhe administratën amerikane.
Ai theksoi se “Albanians for America” nuk synon të zëvendësojë organizatat e tjera shqiptare, por të bashkëpunojë me to dhe me individë që kanë krijuar marrëdhënie me politikëbërësit amerikanë.
Në këtë kuadër, ai tha se çështja e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës duhet të jetë pjesë e këtij angazhimi të vazhdueshëm.
“Duhet të punojmë bashkërisht me shqiptaro-amerikanët në Amerikë që ta avancojmë çështjen e shqiptarëve në Kongresin dhe Senatin amerikan dhe në administratën amerikane, duke i gjetur pikat e përbashkëta”, tha Mulliqi.
Sipas tij, bashkëpunimi mund të shtrihet në fusha të ndryshme, nga siguria dhe administrimi deri te edukimi dhe temat që ndikojnë në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare./Telergafi/.
