Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se gjatë ditës së sotme ka identifikuar disa lidhje ilegale në rrjetin e ujësjellësit në lagjen Veternik, si dhe në disa lokale në sheshin e Prishtinës.
Sipas njoftimit të kompanisë, lidhjet e paligjshme janë shkyçur nga rrjeti i ujësjellësit gjatë aksionit të ndërmarrë për identifikimin e tyre.
“Gjatë ditës së sotme janë zbuluar disa lidhje ilegale në rrjetin e ujësjellësit në lagjen Veternik, si dhe në disa lokale në sheshin e Prishtinës”, thuhet në njoftimin e KRU “Prishtina”.
Kompania ka bërë të ditur se rastet e identifikuara do të procedohen më tej në institucionet kompetente.
“Lidhjet ilegale janë shkyçur nga rrjeti i ujësjellësit, ndërsa lëndët përkatëse do t’i përcillen Prokurorisë për procedim të mëtejshëm”, thuhet në njoftim.
KRU “Prishtina” ka publikuar edhe fotografi nga aksioni, ku paraqitet procesi i identifikimit dhe shkyçjes së lidhjeve ilegale.
