Leo ka publikuar në YouTube projektin e tij më të ri muzikor me titull “DON”, një këngë që ka tërhequr menjëherë vëmendjen e publikut jo vetëm për muzikën, por edhe për rikthimin e tij në krah të Lelës.
Pas aludimeve dhe sinjaleve të ditëve të fundit, videoklipi i ri duket se ka konfirmuar gjithçka. Lela shfaqet në klipin e këngës, duke i dhënë fund spekulimeve se dyshja kanë vendosur t’i japin edhe një mundësi lidhjes së tyre.
Një tjetër detaj që nuk ka kaluar pa u vënë re nga fansat është edhe një prej vargjeve të këngës, ku Leo këndon: “Zemra mu ma don”, frazë që shumë ndjekës e kanë lidhur me historinë e tij të dashurisë me Lelën.
Rikthimi i dy ish-banorëve të Big Brother VIP Kosova 3 ka ngjallur interes të madh në rrjetet sociale. Vetëm videoja paralajmëruese e publikuar një ditë më parë në formatin Reels ka kaluar shifrën e 1 milion shikimeve, duke dëshmuar se historia e tyre vazhdon të zgjojë kuriozitet te publiku.
Për afrimin e Leos dhe Lelës ishte raportuar edhe më herët, pasi dyshja u panë duke kaluar pushimet së bashku. Ndërsa tani, me publikimin e këngës “DON”, ata duket se e kanë bërë zyrtar rikthimin e tyre edhe para fansave.
Projekti muzikor tashmë është i disponueshëm në YouTube, ku ka nisur të grumbullojë klikime dhe komente të shumta nga adhuruesit e artistit dhe të çiftit. /Telegrafi/
– YouTube youtu.be
