Princesha e Uellsit, Kate Middleton, ka ndarë rrëfimin e saj personal për përballjen me kancerin, trajtimin dhe rrugëtimin drejt rikuperimit, në dokumentarin e ri 30-minutësh të titulluar “Heal”.
Në dokumentar, Kate, 44 vjeçe, e cila aktualisht është në remision, rikthehet te periudha e vështirë e trajtimit në vitin 2024, duke treguar edhe për momentet kur ndihej e shkëputur nga realiteti dhe kishte vështirësi të kuptonte çfarë po ndodhte rreth saj.
Ajo kujton një moment në spital, kur, mes pasigurisë dhe lodhjes fizike, dikush ia kishte mbajtur dorën pa folur dhe pa u përpjekur të ndryshonte situatën.
“Prania e dikujt që qëndroi pranë meje në atë kohë është diçka për të cilën do të jem gjithmonë mirënjohëse. Kjo më bëri të kuptoj rëndësinë e të qenit pranë dikujt në momentet më të errëta të jetës”, rrëfen ajo.
Dokumentari ndjek gjithashtu sfidën fizike dhe emocionale të Kate për të përfunduar udhëtimin “Three Peaks Challenge”, të cilin ajo e realizoi në qershor të vitit të kaluar. Sfida përfshinte ngjitjen në tri majat më të larta të Anglisë, Skocisë dhe Uellsit brenda 24 orëve: Ben Nevis, Scafell Pike dhe Snowdon, i njohur gjithashtu si Yr Wyddfa.
Përmes këtij rrugëtimi, ajo reflekton mbi ndryshimet që përvoja me kancerin ka sjellë në jetën e saj, veçanërisht mbi brishtësinë njerëzore dhe kuptimin e kohës.
“Kur je përballur me cenueshmërinë tënde dhe me vetëdijen për vdekshmërinë, duhet të pranosh se jeta nuk është e pafundme. Në ato momente ndodh një ndryshim”, shprehet Kate.
Gjatë dokumentarit shfaqen edhe mesazhet inkurajuese të tre fëmijëve të saj, George, Charlotte dhe Louis, të cilat ata ia kishin dërguar gjatë sfidës. Në njërën prej ndalesave, vëllai i saj, James Middleton, i lëshon regjistrimet zanore të fëmijëve, të cilët i shprehin dashurinë dhe krenarinë për nënën e tyre.
Në përfundim të udhëtimit, Kate pritet nga bashkëshorti i saj, Princi William, dhe fëmijët, me të cilët ndan emocionet e përfundimit të sfidës.
Dokumentari nuk zbulon llojin e kancerit me të cilin u diagnostikua princesha dhe as detaje të reja për trajtimin e saj. Përmes tij, Kate synon të tërheqë vëmendjen te rëndësia e kujdesit gjithëpërfshirës për pacientët me kancer, duke përfshirë jo vetëm trajtimin mjekësor, por edhe mbështetjen emocionale, psikologjike, shpirtërore dhe sociale.
Filmi lidhet me përpjekjet për të mbështetur spitalin e specializuar për trajtimin e kancerit, Royal Marsden, ku Kate ishte trajtuar. Të ardhurat nga dokumentari do t’i dedikohen organizatës bamirëse të këtij institucioni.
“Shërimi, qoftë personal apo kolektiv, nuk ka të bëjë vetëm me rregullimin e asaj që nuk shkon. Ka të bëjë me gjetjen e ekuilibrit në mënyrën se si jetojmë”, ka thënë princesha.
Në fund, Kate thekson se përvoja e saj e ka ndihmuar të kuptojë se cenueshmëria nuk është vetëm diçka që duhet kapërcyer, por edhe një element që i afron njerëzit me njëri-tjetrin./KultPlus.com

