Nëntë persona kanë marrë lëndime trupore në një aksident trafiku i cili ka ndodhur sot rreth orës 13:30 në fshatin Korenicë të Gjakovës.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi.
Sipas saj në aksident ishin të përfshira dy vetura.
“Ju njoftojmë se sot, rreth orës 13:30, ka ndodhur një aksident trafiku në fshatin Korenicë, Gjakovë, ku janë përfshirë dy automjete. Si pasojë e aksidentit, nëntë persona kanë mbetur të lënduar dhe janë dërguar për trajtim mjekësor”, ka thënë ajo.
Krasniqi tha se ekipet e policisë, urgjencës dhe zjarrfikësve kanë reaguar menjëherë në vendngjarje, ndërsa Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor është duke e trajtuar rastin me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të ngjarjes. /Telegrafi/
