Mediat sociale po e dëmtojnë autoritetin e medias profesionale dhe kanë krijuar një “mjegull informativ”, ku qytetarët përballen çdo ditë me përmbajtje të pakontrolluara, përfshirë dezinformata që intensifikohen sidomos gjatë fushatave zgjedhore.
Kështu u shpreh Festim Rizanaj, hulumtues në platformën HIBRID.info, në episodin e pestë të “Përballje Podcast”, duke folur për gjetjet nga monitorimi i dezinformimit në periudha zgjedhore.
Sipas Rizanajt, me shfaqjen e mediave sociale, secili ka mundësi të hapë faqe apo llogari dhe të shpërndajë informacione, shpesh të emërtuara me prapashtesa si “info” apo “gazeta”, duke krijuar përshtypjen e rreme të burimeve mediatike.
– YouTube www.youtube.com
“Kjo ia ka marrë autoritetin medias kredibile dhe gazetarisë profesionale, duke krijuar mjegull informativ në rrjete sociale,” tha Rizanaj shkruan Telegrafi.
Ai theksoi se sot shumica e qytetarëve informohen kryesisht përmes mediave sociale, ku qarkullojnë lloj-lloj informacionesh, përfshirë edhe dezinformata, gjë që e ka rritur nevojën për platforma të verifikimit të fakteve dhe për media profesionale e kredibile.
Dezinformimi gjatë fushatave dhe përdorimi i AI
Rizanaj tha se gjatë fushatave zgjedhore hapen qindra faqe, kanale dhe llogari të reja që shpërndajnë përmbajtje manipuluese, duke filluar nga deklarata të vjetra të ripublikuara, imazhe të edituara e video të prera, deri te përmbajtje të gjeneruara me inteligjencë artificiale.
“Së fundmi kemi identifikuar video të gjeneruara me inteligjencë artificiale, të cilat improvizohen si intervista të mediave kosovare për t’i dhënë legjitimitet përmbajtjes së rreme”, tha ai, transmeton Telegrafi.
Foto: Ridvan Slivova
Sipas Rizanajt, këto përmbajtje synojnë të ndikojnë drejtpërdrejt në perceptimin e audiencës dhe të votuesve, duke e bërë verifikimin e informacionit edhe më të domosdoshëm.
Duke folur për gjetjet e raportit të fundit të HIBRID.info, Rizanaj tha se mediat ruse, si Russia Today dhe Sputnik, operojnë në Ballkanin Perëndimor kryesisht në gjuhën serbe, me synim arritjen e një audience sa më të gjerë.
“Narrativat e këtyre mediave amplifikohen nga tabloidet dhe mediat e afërta me pushtetin në Serbi dhe më pas arrijnë te komuniteti serb në Kosovë”, tha ai.
Sipas Rizanajt, target audienca e këtyre mediave mbetet komuniteti serb, i cili vazhdon të informohet kryesisht nga tabloidet serbe, duke mos pasur alternativa të tjera të besueshme.
“Këto narrativa riciklohen vazhdimisht dhe shpërndahen si informacione të besueshme, ndonëse kanë agjendë të qartë politike,” theksoi ai. /Telegrafi/