Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Bujar Osmani, ka reaguar ndaj emërimit të Arben Fetait si përfaqësues i ri në Bruksel, duke vënë në pikëpyetje nevojën për këtë funksion.
Sipas tij, Maqedonia e Veriut tashmë ka një Mision të Përhershëm pranë Bashkimit Evropian, me ambasador dhe staf diplomatik që përfaqësojnë vendin në institucionet evropiane.
Osmani vlerëson se krijimi i një funksioni të ri paralel e dobëson rolin e institucioneve ekzistuese dhe krijon paqartësi për përfaqësimin e shtetit para Bashkimit Evropian.
“Maqedonia e Veriut ka Mision të përhershëm pranë Bashkimit Evropian, të udhëhequr nga ambasador dhe të përbërë nga dhjetëra diplomatë që punojnë çdo ditë me institucionet evropiane. Atëherë, cili është mandati i përfaqësuesit të ri? Çfarë detyre do të kryejë ai që nuk mund ta kryejnë ambasadori, Misioni ynë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria për Çështje Evropiane?Krijimi i një kanali paralel politik në Bruksel e zhvlerëson Misionin shtetëror, e cenon autoritetin e ambasadorit dhe krijon paqartësi se kush e përfaqëson vendin përpara institucioneve të Bashkimit Evropian.Integrimi evropian kërkon institucione të fuqishme, hierarki të qartë dhe diplomaci profesionale. Funksionet publike nuk mund të krijohen për sistemime politike, ndërsa institucionet ekzistuese trajtohen si dekor”, ka shkruar nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani.
