Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe njëherësh drejtor i Financave në Komunën e Gjakovës, Durim Halilaj, ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me investimet në rrugën “Bujar Roka”, duke i akuzuar ata për përvetësim të një projekti që, sipas tij, është iniciuar dhe zhvilluar nga Komuna e Gjakovës.
Halilaj ka deklaruar se projekti nuk është produkt i qeverisjes aktuale qendrore, por është projektuar, nisur dhe kontraktuar nga Komuna e Gjakovës nën udhëheqjen e kryetarit Ardian Gjini, që nga viti 2019.
“Është sa qesharake aq edhe dëshmi e plogështisë së këtij pushteti që zyrtarë të nivelit qendror tentojnë të bëjnë politikë me projekte që Gjakova i ka projektuar, nisur dhe kontraktuar që nga viti 2019”, ka shkruar Halilaj.
Sipas tij, punimet në arterien rrugore “Bujar Roka”, me gjatësi prej 2,731 metrash dhe vlerë mbi 3.5 milionë euro, kanë nisur zyrtarisht në shtator të vitit 2019, ndërsa investimi është mundësuar me mbështetjen e qeverisë së atëhershme të udhëhequr nga Ramush Haradinaj.
Ai ka theksuar se projekti përfshin shtigje për këmbësorë dhe biçikleta, hapësira të gjelbra, dy rrethrrotullime dhe ndërtimin e një ure të re, duke shtuar se realizimi i tij është udhëhequr nga Komuna e Gjakovës.
Halilaj ka kritikuar edhe pushtetin qendror për, siç ka thënë ai, vonesat në realizimin e projektit, duke pretenduar se ndërhyrjet në buxhet dhe procedurat administrative kanë ndikuar në zvarritjen e punimeve.
“Merita e vetme e pushtetit aktual qendror në këtë projekt është zvarritja dhe përpjekja për bllokim”, ka deklaruar ai.
Në reagimin e tij, drejtori i Financave në Komunën e Gjakovës u ka bërë thirrje përfaqësuesve të Vetëvendosjes që të tregojnë ndonjë projekt të ri kapital të realizuar në Gjakovë gjatë mandatit të tyre.
“Përgjigja është e thjeshtë: asnjë”, ka shkruar Halilaj.
Në fund, ai ka theksuar se Qarkorja e Gjakovës dhe rruga “Bujar Roka” janë projekte që, sipas tij, mbajnë vulën e Aleancës dhe të kryetarit Ardian Gjini, ndërsa përpjekjet për t’ia atribuar ato pushtetit qendror i ka cilësuar si politike. /Telegrafi/
