Jose Mourinho ka nisur të formojë skuadrën e Real Madridit për sezonin e ri, me Franco Mastantuonon dhe Raul Asencion që pritet të largohen në formë huazimi, ndërsa Gonzalo Garcia duket se do të mbetet pjesë e ekipit të parë.
Sipas gazetares së COPE, Arancha Rodriguez, Mourinho ka zhvilluar takime individuale me lojtarët e tij që prej rikthimit në stolin e Real Madridit për herë të dytë, më 13 korrik.
Trajneri portugez po i mirëpret gradualisht futbollistët që po rikthehen nga angazhimet me kombëtaret në Kupën e Botës, ndërsa njëkohësisht po vlerëson skuadrën gjatë fazës përgatitore.
Sipas raportimeve, Mastantuono dhe Asencio janë dy lojtarët që kanë më shumë gjasa të largohen përkohësisht, në kërkim të më shumë minutave dhe përvojës në ekipin e parë.
Asencio është përfolur për një largim prej disa javësh, sidomos pas përforcimit të mbrojtjes së Real Madridit me transferimin e Ibrahima Konates.
Edhe pse mbrojtësi i dalë nga akademia dëshironte të qëndronte dhe të luftonte për një vend nën drejtimin e Mourinhos, tani pritet që ai të largohet në huazim për të vazhduar zhvillimin e tij.
Edhe Mastantuono vazhdon të vlerësohet shumë si nga klubi, ashtu edhe nga Mourinho. Megjithatë, pasi e ka parë nga afër në stërvitje, trajneri portugez beson se një huazim do t’i siguronte më shumë minuta dhe do ta ndihmonte të përshpejtonte progresin e tij.
Ndryshe nga dy të parët, Gonzalo Garcia ka fituar besimin e Mourinhos dhe pritet të mbetet pjesë e ekipit të parë për sezonin e ardhshëm.
Sulmuesi 22-vjeçar ishte përfolur për një largim në fillim të kësaj vere, por Mourinho vendosi ta mbante gjatë fazës përgatitore për ta vlerësuar më nga afër.
Futbollisti spanjoll ka impresionuar me gjendjen fizike, qëndrimin profesional dhe paraqitjet e tij, duke bindur stafin teknik se mund të ketë një rol të rëndësishëm gjatë sezonit të ardhshëm.
Ndërkohë, Real Madridi vazhdon të monitorojë tregun e transferimeve dhe është lidhur me emra të mëdhenj si Michael Olise dhe Rodri./Telegrafi/
