Palmeiras është kampion i Copa Libertadores 2026. Skuadra braziliane mundi Estudiantesin 1-0 në finalen e zhvilluar të shtunën në stadiumin “Centenario” në Montevideo të Uruguait.
Gjithë ekipi i trajnerit portugez Abel Ferreira festoi titullin e katërt kontinental në historinë e klubit.
Golin vendimtar e shënoi sulmuesi paraguaian Ramon Sosa, në fillim të pjesës së dytë, rreth minutës së gjashtë. Pas golit, Palmeiras duhej të përballonte presionin e Estudiantes-it deri në fund. Loja ishte e fortë dhe e ndërprerë shpesh, me shumë karta të verdha nga të dyja palët.
Ky është Libertadores-i i katërt për Palmeiras pas atyre të viteve 1999, 2020 dhe 2021. Me këtë trofe, klubi paulist barazon Flamengon si klubi brazilian me më shumë tituj në këtë garë, me nga katër secili shkruan Indeks Online.
Për Abel Ferreira ky është triumf historik. Portugezi, që drejton Palmeiras-in që nga nëntori i vitit 2020, e fitoi Libertadores-in për herë të tretë, pas dy titujve të njëpasnjëshëm në 2020 dhe 2021. Ai ishte edhe finalist në vitin 2025, kur humbi nga Flamengo. Kjo ishte finalja e tij e katërt në këtë garë, me tri fitore.
Finalja ishte edhe një ribashkim historik, pasi dy klubet u përballën për herë të fundit në finale në vitin 1968.
Si kampion i Amerikës së Jugut, Palmeiras siguron vendin në Kupën Interkontinentale të FIFA-s, që do të zhvillohet në dhjetor në Katar./IndeksOnline/

