Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, ka njoftuar se komisionet komunale kanë dalë në terren për të evidentuar dëmet e shkaktuara nga breshëri, ndërsa vlerësimi i plotë pritet të përfundojë brenda shtatë ditëve kalendarike.
Ferati bëri të ditur se menjëherë pas reshjeve të një dite më parë, Komuna ka ndërmarrë hapat e parë për adresimin e pasojave në sektorin e bujqësisë, duke mbajtur takim me komisionin komunal për të koordinuar procesin e vlerësimit të dëmeve.
Sipas tij, ekipet kanë nisur punën në terren që nga mëngjesi i së martës, me synim evidentimin sa më të shpejtë të dëmeve të shkaktuara në kulturat bujqësore.
Gjatë vizitave në terren, Ferati ishte i shoqëruar nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, me të cilin pa nga afër pasojat që breshri ka shkaktuar në parcelat bujqësore dhe në kulturat që ishin në prag të vjeljes.
Kryetari i Istogut tha se i ka kërkuar ministrit që të ndërmarrë veprime urgjente për kompensimin e fermerëve të prekur.
“Kam kërkuar që të veprohet me urgjencë në drejtim të kompensimit të dëmeve, në mënyrë që fermerët tanë të marrin mbështetjen e nevojshme sa më parë”, ka deklaruar Ferati.
Ai shtoi se Komuna e Istogut do të vazhdojë të qëndrojë pranë fermerëve gjatë gjithë procesit të vlerësimit dhe tejkalimit të pasojave të shkaktuara nga breshëri. /Telegrafi/
