Federata Franceze e Futbollit (FFF) ka konfirmuar zyrtarisht se do të ndërmarrë veprime ligjore ndaj senatores paraguajane Celeste Amarilla, pasi kjo e fundit publikoi komente me përmbajtje raciste ndaj Kylian Mbappe, pas ndeshjes Francë – Paraguai në Kupën e Botës 2026.
Në deklaratën e saj, FFF dënoi ashpër gjuhën e përdorur nga Amarilla, duke e cilësuar atë të papranueshme dhe të dënueshme.
“Komentet raciste të senatores paraguajane Celeste Amarilla ndaj Kylian Mbappes janë jashtëzakonisht të neveritshme dhe të papranueshme. Si mund të shqiptohen fjalë të tilla? Këto deklarata janë kriminale dhe të dënueshme. Ato duhet të ndiqen penalisht, këtu dhe kudo. Federata Franceze e Futbollit do të paraqesë kallëzim pranë Prokurorisë për nisjen e procedurave gjyqësore”, thuhet në reagimin zyrtar të FFF-së.
Kontroversa shpërtheu pasi Amarilla bëri një sërë deklaratash fyese dhe raciste ndaj sulmuesit francez.
“Ky brutal nuk mësoi kurrë as të shkruajë. Në vend të qumështit të nënës, ai u ushqye me kokos dhe qeniet më të arsimuara që ka dëgjuar ndonjëherë kanë qenë shimpanzetë”, deklaroi senatorja.
Ajo shkoi edhe më tej, duke thënë se lojtarët e përfaqësueses së Paraguait duhej ta kishin sulmuar Mbappen pas përfundimit të ndeshjes.
“E vetmja gjë për të cilën shumë prej nesh pendohen është se La Albirroja nuk i dha një shuplakë të fortë në fytyrë në fund të ndeshjes. Dhe unë as nuk jam tifoze e futbollit”, shtoi Amarilla.
Ndërkohë, edhe vetë Kylian Mbappe reagoi ndaj deklaratave të senatores, duke e dënuar ashpër gjuhën e saj dhe duke e cilësuar të papranueshme sjelljen e një zyrtareje publike. /Telegrafi/
