Ministri i Sportit, Blerim Gashani, ka vlerësuar lart sukseset e atletes kosovare Gresa Bakraçi, e cila po vazhdon të shkëlqejë në arenën ndërkombëtare me rezultate mbresëlënëse.
Përmes një postimi, ai bëri të ditur se pati kënaqësinë ta takojë kampionen kosovare, duke theksuar se sukseset e saj janë dëshmi e përkushtimit, disiplinës dhe krenarisë që sportistët e Kosovës po sjellin në arenën ndërkombëtare.
Ai rikujtoi se Bakraçi u shpall nënkampione në Kampionatin Evropian të Shteteve në zhvillim në Monako, duke konfirmuar nivelin e saj elitar në atletikë.
“Në orët e para të mëngjesit, dita nisi me një nga ato takime që të kujtojnë pse sporti është më shumë se garë, është krenari, disiplinë dhe identitet kombëtar.
Me kënaqësi të veçantë takova kampionen tonë, atleten Gresa Bakraçi, e cila vazhdon të shkruajë histori për sportin e Kosovës me suksese të njëpasnjëshme në arenën ndërkombëtare.
Në Kampionatin Evropian të Shteteve në zhvillim në Monako, ajo u shpall nënkampione, duke konfirmuar nivelin e saj elitar në atletikë. Në Kampionatin Ballkanik në Volos, ajo fitoi 2 herë titullin nënkampione ballkanike dhe vendosi rekord shtetëror në 5000 metra, duke e bërë këtë paraqitje, një nga më të veçantat e saj. Ndërsa në “Challenge Meeting” në Celje, Slloveni, u shpall kampione dhe theu edhe një herë rekordin shtetëror në 1 milje.
Gresa Bakraçi po vazhdon të mbetet një nga figurat më të suksesshme të atletikës kosovare dhe një frymëzim i vërtetë për gjeneratat e reja.
Suksese të mëtejshme kampione!
Kosova është krenare me ty”, shkroi ai./Telegrafi/
