Dogana e Kosovës ka konfiskuar 876 kilogramë duhan dhe 118 mijë cigare të dyshuara për kontrabandë gjatë një operacioni në disa hapësira depoje në Prizren.
Sipas Doganës, njësitet e Sektorit Anti-Kontrabandë kanë ndërmarrë aksionin bazuar në informacione të siguruara nga terreni.
Gjatë kontrollit janë gjetur 791 kilogramë duhan i grirë i paketuar dhe 85 kilogramë duhan i grirë i papaketuar.
Po ashtu, janë sekuestruar 21 mijë cigare të markës “Marble” pa banderolë, si dhe 97 mijë cigare me banderolë të Bosnjës dhe Hercegovinës, por pa banderolë të Republikës së Kosovës.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit e Doganës së Kosovës dhe prokurori kujdestar.
Personi përgjegjës për hapësirat ku është gjetur malli është arrestuar dhe, me urdhër të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
Mallrat e konfiskuara janë dërguar për ruajtje nën mbikëqyrje doganore, ndërsa rasti po hetohet në bashkëpunim me Prokurorinë kompetente.
Autoritetet nuk kanë bërë të ditur vlerën e saktë të mallit të konfiskuar apo detaje të tjera rreth hetimeve. /Telegrafi/