Banorët e rrugës “Sefedin Laqi” në Prizren kanë protestuar sot para kompanisë Hidroregjioni Jugor, duke shprehur shqetësimin për mungesën e vazhdueshme të ujit të pijshëm.
Sipas raportimit të TV Prizreni, banorët kanë thënë se problemi me furnizimin me ujë po zgjat prej muajsh, ndërsa në disa raste, sipas tyre, furnizimi zgjat vetëm rreth dy orë, pas së cilës mund të mbesin deri në 36 orë pa ujë.
Pas protestës, banorët kanë zhvilluar një takim me përgjegjësit e kompanisë, nga ku kanë ndarë edhe pamje.
Sipas tyre, gjatë takimit u është bërë e ditur se punimet për zgjidhjen e problemit pritet të përfundojnë deri të premten.
“Ka vite që kemi problem me furnizimin me ujë në këtë zonë. Kjo është shumë shqetësuese për ne”, ka thënë njëri prej banorëve.
Banorët kanë treguar se kanë bërë ankesa dhe kanë zhvilluar takime të vazhdueshme me përgjegjësit, por problemi ende nuk është zgjidhur.
Ata kanë ngritur pikëpyetje edhe për shkakun e problemit, duke thënë se fillimisht u është komunikuar se bëhet fjalë për një defekt, ndërsa pretendojnë se situata lidhet me ndërrimin e linjës së ujësjellësit dhe ndikimin që kjo ka pasur në furnizimin e banesave në këtë zonë.
Banorët kanë paralajmëruar se do të protestojnë sërish nëse problemi nuk zgjidhet.
Ata u kanë bërë apel institucioneve dhe kompanisë përgjegjëse që të ndërmarrin masa sa më shpejt për normalizimin e furnizimit me ujë, duke theksuar se mungesa e tij po u shkakton vështirësi të mëdha në jetën e përditshme. /Telegrafi/