Close Menu
    LEXO GJITHASHTU

    Kryeprokurori Kryeziu: Keqpërdorime mbi 1 milion euro në BKS, hetimet nisën që në mars 2025

    January 8, 2026

    Historia tronditëse e krimit të vërtetë për një grua që abuzonte me fëmijët është aktualisht më e shikuara në Netflix

    January 8, 2026

    Derisa Evropa goditet nga përmbytjet, bora dhe erërat e forta – në Australi temperaturat arrijnë deri në 49 gradë celsius

    January 8, 2026
    Facebook X (Twitter) Instagram
    LEXO:
    • Kryeprokurori Kryeziu: Keqpërdorime mbi 1 milion euro në BKS, hetimet nisën që në mars 2025
    • Historia tronditëse e krimit të vërtetë për një grua që abuzonte me fëmijët është aktualisht më e shikuara në Netflix
    • Derisa Evropa goditet nga përmbytjet, bora dhe erërat e forta – në Australi temperaturat arrijnë deri në 49 gradë celsius
    • Filipçe: Nuk ka marrëveshje me kriminelët, Mickoski kërkon alibi për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme
    • Kthesa e qetë e Serbisë drejt Lindjes: Si armët kineze arritën të dominojnë arsenalin e Beogradit
    • Real Madridi tregon interes konkret për mbrojtësin qendror të Borussia Dortmund
    • PD kërkesë zyrtare qeverisë: Shpallni gjendjen e fatkeqësisë natyrore dhe kompensoni banorët
    • Mërgimtarja nga Kaçaniku ofron strehim falas për familjet e prekura nga vërshimet
    • Rreth nesh
    • Na kontaktoni
    Facebook X (Twitter) Instagram
    Korrekt PressKorrekt Press
    Na ndiqni
    Thursday, January 8
    • Ballina
    • Zgjedhjet
      • Zgjedhjet parlamentare
      • Zgjedhjet e jashtëzakonshme
      • Zgjedhjet e 28 dhjetorit
      • Zgjedhjet parlamentare 2025
    • Moti
      • Moti në kosovë
    Korrekt PressKorrekt Press
    Home » 2 janari amerikan dhe pesë mësime për Evropën!

    2 janari amerikan dhe pesë mësime për Evropën!

    korrektpressBy korrektpressJanuary 7, 2026 Jorgji kote 10 Mins Read
    2 janari amerikan dhe pesë mësime për Evropën!
    2 janari amerikan dhe pesë mësime për Evropën!
    Share
    Facebook Twitter LinkedIn Pinterest Email

    Operacioni i madh ushtarak amerikan i filluar natën e 2 Janarit dhe që u mbyll me sukses të plotë brenda tri orësh me kapjen e presidentit venezuelian Maduro dhe nxjerrjen e tij përpara gjykatës në Nju-Jork, ishte ngjarja e parë madhore e vitit që sapo hyri dhe që tronditi botën; me shumë pasoja dhe efekte të paparashikueshme në atë kontinent dhe në mbarë planetin.Ai sulm me saktësi kirurgjikale ka ndezur diskutime dhe debate të shumta mbi pajtueshmërinë e tij me të drejtën ndërkombëtare, sovranitetin kombëtar të mishëruara në Kartën e OKB-së dhe të ardhmen e Venezuelës; kjo mbasi operacioni u bë pa asnjë konsultim dhe miratim nga OKB-ja dhe as nga Kongresi amerikan – edhe pse Administrata Trump e justifikon këtë si një operacion dhe jo shpallje lufte.Nga ana tjetër, operacioni i koduar “Absolute Resolve“ mbështetej në një ligj të miratuar qysh në vitin 2001 për përdorimin e forcës ushtarake pa asnjë konsultim paraprak për sigurinë e vendit. Më konkretisht, ShBA-ja e justifikoi operacionin me rrezikshmërinë e Maduros si kapobandë mafioz që mbron kartelet më të rrezikshme të drogës, kësisoj një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë e ShBA-së.Debatet dhe diskutimet mbi këtë operacion ushtarak, më i madhi i këtij lloji pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, ashtu si edhe e ardhmja e Venezuelës që ajo të çlirohet më në fundnga Maduro dhe nga i gjithë regjimi i tij shtypës, zgjedhjet e reja dhe roli i opozitës, vazhdojnë kudo; gjithsesi, ato mbeten çështje letrash dhe interpretimesh ligjore për ekspertët përkatës, parlamentarët dhe median.Fakti në terren është se ShBA-ja e realizoi me sukses të mahnitshëm operacionin, duke nxjerrë përpara drejtësisë një diktator të egër dhe mizor, rënia e të cilit u prit ngado me gëzim. Maduro ka sunduar duke shtypur, ai ka organizuar vazhdimisht vetëm farsa dhe masakra zgjedhore, duke arritur deri në zhvleftësimin e fitores së kundërshtarit të vet dinjitoz, Edmundo Gonzales, në korrik 2024. Madje, ai ka abuzuar me durimin dhe tolerancën e tepruar të Perëndimit, duke e sfiduar atë hapur, duke i treguar dhëmbët dhe muskujt. Për pasojë, kështu si kishin ardhur punët, Maduro mund të rrëzohej vetëm me forcë nga më i forti.Ndaj, në kuptimin praktik të fjalës, ajo që ka shumë më tepër rëndësi për t’u analizuar janë pasojat dhe rrjedhojat e pritshme pozitive dhe negative për ShBA-në, por sidomos për Evropën në tërësi dhe vendet e saj në veçanti. Këtu, politologë dhe ekspertë të fushës nënvizojnë pesë përfundime kryesore për vendet e BE-së/NATO-s, të cilat po i rendisim më poshtë.Së pari, operacioni “ Absolute Resolve“ dëshmoi se ShBA-ja nuk ka ndërmend të tërhiqet nga drejtimi i politikës botërore. Përkundrazi, po tregon se dëshiron të mbetet fuqia më e madhe politike, ekonomike dhe ushtarake në botë.Presidenti Trump e ka bërë të qartë se ShBA-ja do të përdor edhe forcën ushtarake për të mbrojtur interesat e tyre strategjike në Venezuelë, Iran, Kolumbi, Kubë, madje edhe në Grenlandën e Danimarkës aleate në NATO!Dhe, këtë ka filluar ta bëjë duke shmangur konsultimet me (ish) aleatët e tradicionalë evropianë, gjë që thekson tendencën e tij që BE-në dhe vendet e saj anëtare të mos i konsiderojë më aleatë vlerash dhe parimesh demokratike, por thjesht partnerë në transaksione ekonomike dhe klientë për interesa tregtare.Së dyti, më 5 dhjetor të vitit të kaluar, u shpall publikisht Strategjia e re e Sigurisë Kombëtare Amerikane. Me atë rast në Evropë pati shumë diskutime, debate dhe hamendjesime, madje deri aty sa të pohohej se Trumpi as nuk ka lexuar vetë atë strategji, se ajo është një copë letër e papërpunuar vetëm dhe se nuk do marrë seriozisht zbatimi i saj. Mirëpo, fakti që operacioni ushtarak në Karakas u krye në më pak se një muaj pas shpalljes së strategjisë në fjalë, dëshmon të kundërtën e pohimeve të mësipërme. Ndaj, ekspertët kërkojnë që kjo Strategji të vlerësohet seriozisht, bashkë me klauzolën mbi mbështetjen për “rezistencën patriotike në Evropë, që qytetërimi i saj të mos shuhet në 20 vjetët e ardhshme”.Në fakt, mbështetja e hapur amerikane për forcat e ekstremit të djathtë në Evropë ka filluar. Kështu, në muajin dhjetor, shkuan në Uashington 20 deputetë të AfD-së gjermane të ftuar nga homologët e tyre amerikanë. Nuk po flasim këtu për vende ku e djathta dhe sidomos ajo ekstreme është apo përgatitet të vijë në pushtet.Së treti, nëpërmjet këtij operacioni presidenti Trump konfirmoi synimin strategjik amerikan për ta ndarë botën në tri zona influence me Rusinë dhe Kinën. Më konkretisht, ShBA-ja po shuan çdo dyshim se kontinenti amerikan u përket tërësisht atyre, aty nuk kanë punë as evropianët, as rusët dhe as kinezët. Pikë!Me operacionin anti-Maduro, presidenti Trump vërtetoi bindshëm se jo vetëm nuk distancohet nga Doktrina e famshme Monroe, “Amerika për amerikanët“, por siç pohon Roderick Kiessevetter, ish-gjeneral dhe kryetar i Komisionit të Sigurisë në Bundestagun gjerman, Trumpi e ka përditësuar dhe e ka pagëzuar atë doktrinë si “Amerika për amerikanët e ShBA-së”!Në këtë kuptim, Operacioni “Absolute Resolve“ ishte edhe poshtërim për Rusinë, aleatja më e madhe e Maduros. Për këtë mjafton të përmendim faktin domethënës se Trumpi realizoi në Karakas në më pak se katër orë atë që Putini nuk e ka arritur në Kiev as në katër vjet! Ndërkohë, ky operacion ishte edhe një betim lufte ndaj Kinës, aleate dhe blerëse e madhe e naftës venezuelase. Madje, kapja e Maduros u bë vetëm disa orë pas bisedimeve midis zyrtarëve të lartë amerikanë me ata kinezë.Së katërti, deklarimi i presidentit Trump mbi interesin dhe shfrytëzimin e naftës venezuelase nga kompanitë amerikane është dëshmia tjetër më e freskët e konsekuencës në zbatimin e doktrinës së tij transaksionaliste, si pikësynim madhor i çdo demarshi diplomatik dhe ndërhyrjeje ushtarake amerikane. Disa analistë dhe ekspertë ekonomie thonë se nisur nga cilësia e dobët e naftës venezuelase, si naftë tejet e rëndë që kërkon rafinim të thellë, por mbi të gjitha gjendjen e mjerueshme të infrastrukturës përkatëse (58 miliardë dollarë kërkohen vetëm për normalizimin e saj), nuk dihet nëse kjo do të jetë vërtet fitimprurëse për ShBA-në, ca më pak e krahasuar me burimet e naftës së lehtë arabe.Mirëpo, në këtë rast, synimi kryesor amerikan është që nafta venezuelase të jetë armë në duart e tyre, që ajo të mos shfrytëzohet nga kundërshtarët politikë dhe ushtarakë, si Kina, Rusia dhe Irani, blerësit e saj më të mëdhenj; këtë tashmë e kanë konfirmuar si presidenti Trump ashtu edhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio.Përfundimi tjetër i rëndësishëm është se ky operacion mund të jetë vetëm fillimi. Vetë Trumpi ka bërë paralajmërime serioze edhe për krerët kolumbianë dhe kubanë. Analisti i shquar gjerman i kësaj fushe, Peter Neuman, profesor në të famshmin “Kings College“ në Londër thotë se Kuba komuniste ka shtatë dekada që qëndron përballë Floridas si një çiban dhe liderët amerikanë, përfshirë Trumpin, e kanë më shumë se “halë në sy“. Asnjë president amerikan nuk ka mundur ta përmbysë regjimin në Havanë; ndaj, ndoshta tani, mendon Trumpi, është momenti që ta bëjë ai, ashtu siç bëri me Maduron, me Iranin dhe me të tjerë më vonë.Përfundimi i pestë është se Evropa duhet të vazhdojë të përgatitet seriozisht për ndryshimin e botës dhe rendit ekzistues ndërkombëtar, si pasojë e veprimit politik dhe ushtarak të ShBA-së; ku, siç po shihet qartë, ligji i forcës po zëvendëson forcën e ligjit, duke krijuar një precedent të rrezikshëm me pasoja serioze në të ardhmen. Kjo edhe për faktin se, siç u përmend edhe më lart, ShBA-ja nuk është më e interesuar për Evropën si aleate vlerash dhe parimesh të përbashkëta si në mbi 100 vjetët e kaluara, ca më pak për demokracinë liberale, por thjesht si klientë, për qëllime fitimi, por edhe ato në radhë të parë për “Së pari Amerikën “.Zhvillimet më të fundit lidhur me dështimin e demarsheve për armëpushim dhe paqe në Ukrainë, kur Trumpi e trajton Putinin “si të nënës“ ndërsa Zelenskyn “si të njerkës“ dhe distancimi ndaj Evropës së sotme të moderuar dhe demokratike në favor të ekstremit të djathtë, janë kambana të fuqishme alarmi që Evropa të marrë fatet e saj në duart e veta. Në këto kushte dhe rrethana, nuk ka alternativë tjetër veç vazhdimit të procesit historik të riarmatimit, që brenda vitit 2030 Evropa të kthehet edhe në një Bashkim të Madh mbrojtës. Evropa i ka të gjitha mundësitë për këtë qëllim, kërkohet vetëm kohezion dhe koherencë politike dhe strategjike. Vetëm kështu ajo do të mund të vazhdojë të mbajë vendin e vet në tryezën diplomatike “të të mëdhenjve“. Ndryshe, siç tregon praktika e marrëdhënieve ndërkombëtare, “nëse nuk je i ftuar në tryezë, atëherë ka rrezik të jesh në menynë e saj”.Ndaj, edhe qëndrimet e tanishme të lidershipit evropian ndaj operacionit ushtarak amerikan janë të kuptueshme, sipas aforizmit “urtë e butë dhe plot tiganin” dhe me kujdes “se uthulla e fortë prish enën e vet”. Sepse, çdo qëndrim i tepruar dhe distancim prej ShBA-së, jo vetëm do të përshpejtonte cenimin e kësaj aleance të madhe, për mbrojtjen e të cilës Evropa po shkrin gjithë artin e saj diplomatik, vullnetin dhe kapacitetet ekonomike dhe financiare; veç kësaj, kjo do të ndikonte në qëndrimin amerikan ndaj Ukrainës, me pasoja të rënda dhe në dështimin e procesit të paqes atje. Pastaj, nuk ka pse prishesh me amerikanët për një Maduro, diktator, që “nuk hante pykë“ dhe nuk hiqej dot ndryshe! Në fund të fundit, siç pohojnë disa analistë, e drejta ndërkombëtare nuk u bë për të mbrojtur diktatorët!Veç sa sipër, ka ardhur koha që BE-ja dhe vendet e saj anëtare të nxjerrin mësime e duhura nga pësimet e tyre dhe veçanërisht nga prakticiteti amerikan në luftën kundër karteleve të drogës dhe terrorizmit. Nëse ShBA-ja dhe presidenti Trump kanë kohë që po u bien fort kambanave të alarmit dhe po veprojnë energjikisht, Evropa ende nuk po dëgjon kumbimin e tyre – edhe pse kartelet e drogës në Evropë, duke filluar nga Brukseli, selia e institucioneve Euro-Atlantike po bëjnë kërdinë, duke u kthyer në kërcënim serioz për vetë shtetin dhe sigurinë e qytetarëve. Kështu, në lagjet dhe deri në qendrën e Brukselit nuk kalon një ditë pa të shtëna armësh ndërmjet bandave të drogës. Sasitë e drogës të kapura në portet belge dhe holandeze po tejkalojnë të gjitha parashikimet. Qytetarët i ka zënë paniku. E, megjithatë, deri tani kryesisht fjalë dhe premtime, ndonjë masë anemike, por pa forcë, pa fonde, pa policë dhe punonjës sigurie, pa strategji, pa besim dhe me rezultate minimale. Aq sa po shtrohet pyetja nëse Brukseli po bëhet kryeqyteti i parë narkoshtet i BE-së!Ja pse tani lufta dhe fitorja ndaj tyre mund të arrihet vetëm me masa dragoniane, ashtu si po vepron ShBA-ja dhe presidenti Trump, të cilëve vërtet për këtë duhet t’u heqim kapelën! Nuk po hyjmë në vendet e rajonit dhe sidomos te Shqipëria ku gjendja është tejet alarmante dhe po ulërin për një zgjidhje e cila ende nuk po duket. Natyrisht, ndryshe nga Venezuela, Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe aspirante e BE-së dhe normalisht është me lehtë të çrrënjosësh këtë fenomen alarmant, por të imunizuar nga maduroizmi nuk jemi aspak; sa për shenja dhe dëshmi, ato janë të shumta dhe vetëm ai që nuk do nuk i sheh!

    TË TJERA

    Kujdes, rusët e kuptojnë ndryshe paqen!

    LEXO GJITHASHTU

    Kryeprokurori Kryeziu: Keqpërdorime mbi 1 milion euro në BKS, hetimet nisën që në mars 2025

    January 8, 2026

    Historia tronditëse e krimit të vërtetë për një grua që abuzonte me fëmijët është aktualisht më e shikuara në Netflix

    January 8, 2026

    Derisa Evropa goditet nga përmbytjet, bora dhe erërat e forta – në Australi temperaturat arrijnë deri në 49 gradë celsius

    January 8, 2026

    Filipçe: Nuk ka marrëveshje me kriminelët, Mickoski kërkon alibi për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme

    January 8, 2026
    TË TJERA

    Kthesa e qetë e Serbisë drejt Lindjes: Si armët kineze arritën të dominojnë arsenalin e Beogradit

    January 8, 2026

    Real Madridi tregon interes konkret për mbrojtësin qendror të Borussia Dortmund

    January 8, 2026

    PD kërkesë zyrtare qeverisë: Shpallni gjendjen e fatkeqësisë natyrore dhe kompensoni banorët

    January 8, 2026
    Facebook X (Twitter) TikTok Instagram YouTube

    LAJME

    • Zgjedhjet
    • BB VIP Kosova
    • BB VIP Albania
    • Moti në Kosovë
    • Moti në Shqipëri

    SPORTI

    • La Liga
    • Premier League
    • Serie A
    • Ligue 1
    • Superliga e Kosovës
    • Supeerliga e Turqisë

    TË TJERA

    • Lajme
    • Policia e Kosovës
    • Prishtina
    • Bashkimi Evropian
    • Inteligjenca Artificiale

    Subscribe për të gjitha lajmet

    Merrni lajmet i pari

    © 2026 Korrekt Press.
    • Privacy Policy
    • Terms
    • Accessibility

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.