Kosova U21 e ka mbyllur kampanjën eliminatore për Kampionatin Evropian 2027 me 15 pikë, duke regjistruar një prej cikleve më të suksesshme në historinë e kësaj përfaqësueseje, ndonëse në fund mbeti jashtë objektivit për kualifikim.
“Dardanët” e përfunduan Grupin A në pozitën e katërt, në një grup jashtëzakonisht të vështirë ku përballë kishin Spanjën, Finlandën dhe Rumaninë. Të tria këto përfaqësuese kishin qenë pjesë e Kampionatit Evropian U21 të vitit 2025 dhe në këtë cikël kishin në dispozicion shumë futbollistë me përvojë ndërkombëtare.
Kosova grumbulloi 15 pikë nga katër fitore, tri barazime dhe tri humbje. Dy prej humbjeve erdhën ndaj Spanjës, ndërsa një ndaj Rumanisë, kurse ndaj Finlandës Kosova mori dy barazime – fillimisht 0-0 dhe më pas 4-4 në ndeshjen e fundit të kampanjës.
Pikërisht ky barazim spektakolar 4-4 la një shije të hidhur, pasi Kosova kishte mundësinë që me një fitore të përfundonte në pozitën e tretë me 17 pikë, që do të ishte një tjetër arritje historike.
Përzgjedhësi Hekuran Kryeziu e vlerësoi lart punën e bërë gjatë këtij cikli, por pranoi se i vjen keq për futbollistët që nuk arritën ta mbyllnin kampanjën me fitore ndaj Finlandës.
“Ka qenë një kampanjë e suksesshme me 15 pikë në fund. Më vjen keq për lojtarët që nuk arritën fitore ndaj Finlandës, pasi do të kishim dalë për herë të parë në histori në vendin e tretë me 17 pikë dhe do ta mbyllnim një cikël të jashtëzakonshëm”, deklaroi Kryeziu.
Një grup jashtëzakonisht i vështirë
Kryeziu, i cili e mori drejtimin e Kosovës U21 gjatë kampanjës pas largimit të Afrim Tovërlanit, theksoi vështirësitë me të cilat është përballur kjo përfaqësuese që nga fillimi i ciklit.
Ai theksoi se situata ishte edhe më e komplikuar duke marrë parasysh se Kampionati Evropian U21 do të zhvillohet në Shqipëri dhe Serbi, çka sipas tij krijoi një situatë jo të zakonshme dhe solli pengesa gjatë gjithë eliminatoreve.
Kjo pasi Shqipëria U21 e Alban Bushit, iu ofronte shumë lojtarëve dardanë, ndërsa arritën ta marrin kapitenin Etnik Brruti dhe mbrojtësin Diar Vokrri.
“Ka qenë jashtëzakonisht vështirë prej fillimit, duke e marrë parasysh që Kampionati Evropian U21 zhvillohet në Shqipëri dhe Serbi. Ka pasur shumë pengesa, por jemi munduar, me çfarë kemi pasur, t’i menaxhojmë lojtarët. Nuk jemi treguar mashtrues, kemi qenë të sinqertë. Kjo situatë e ka bërë të vështirë, por që të arrijmë t’i marrim 15 pikë me një grup ku kanë qenë edhe Spanja, Finlanda e Rumania, kampanja jonë ka qenë e suksesshme”, u shpreh Kryeziu.
Nga ndihmës i Tovërlanit, në trajner të parë
Kjo kampanjë ishte e veçantë edhe për vetë Kryeziun. 33-vjeçari ishte pjesë e stafit të Afrim Tovërlanit si ndihmës dhe e njihte nga afër këtë gjeneratë të futbollistëve që nga fillimi i ciklit.
Pas largimit të Tovërlanit, kalimi i Kryeziut në pozitën e përzgjedhësit nuk ishte një ndryshim rrënjësor për grupin. Ai tashmë i njihte futbollistët, karakteristikat e tyre dhe mënyrën se si funksiononte skuadra.
Nën drejtimin e tij, Kosova U21 vazhdoi të ishte konkurruese dhe e mbylli ciklin me një bilanc prej 15 pikësh. Barazimi 4-4 me Finlandën ishte një pasqyrë e qartë e karakterit që kjo skuadër tregoi gjatë gjithë kampanjës.
Finlanda, e cila në të gjithë ciklin eliminator pësoi vetëm shtatë gola – tri ndaj Spanjës dhe katër ndaj Kosovës – nuk arriti ta mposhtë Kosovën në asnjërën nga dy përballjet.
Për Kryeziun, puna e bërë në këtë cikël është një bazë e rëndësishme për të ardhmen, ndërsa tashmë mbetet të shihet nëse FFK-ja do t’i besojë atij edhe kampanjën e ardhshme.
Kosova U21 nuk arriti të sigurojë kualifikimin në Euro 2027, por 15 pikët e grumbulluara dhe paraqitjet ndaj përfaqësueseve të forta evropiane treguan se kjo gjeneratë kishte potencial për të bërë më shumë.
Mëkati i vetëm mbetet se një fitore ndaj Finlandës do ta kishte dërguar Kosovën në vendin e tretë me 17 pikë dhe do ta kishte bërë këtë cikël edhe më historik.
Tashmë, vëmendja kalon te gjeneratat e reja dhe te cikli i ardhshëm. Për Kosovën U21, por edhe për Hekuran Kryeziun, kjo mund të jetë vetëm fillimi i një kapitulli të ri. /Telegrafi/