Policia kantonale e Cyrihut ka bërë thirrje për ndihmë në zbardhjen e zhdukjes së 46-vjeçarit Damir Kocan, i cili u zhduk pa gjurmë në korrik të vitit 2023.
Hetimet tashmë kanë çuar në dyshimin se ai mund të ketë qenë viktimë e një krimi të dhunshëm, shkruan 20Minuten, transmeton Telegrafi.
Kocan ishte parë për herë të fundit më 27 korrik 2023, kur ndodhej në lokalin Neugasshof, në lagjen Kreis 5 të Cyrihut. Pas orës 19:00, ai u largua nga qyteti me një BMë 530d, me targa ZH 581’847, në drejtim të Oltenit.
Që nga ajo mbrëmje, për të nuk ka më asnjë gjurmë.
Dyshimet për një krim të dhunshëm
Pas më shumë se tre vitesh hetime, policia tashmë konsideron se 46-vjeçari mund të jetë viktimë e një krimi të dhunshëm.
Sipas hetimeve, automjeti në të cilin udhëtoi Kocan atë mbrëmje mund të jetë drejtuar nga një i njohur i tij, Aydin Mece, i cili në atë kohë ishte 39 vjeç.
Mece u largua nga Zvicra në fillim të gushtit 2023 dhe, sipas policisë, mund të ndodhet jashtë vendit, ndoshta në Turqi. Ai konsiderohet një nga personat e fundit që e ka parë Kocanin gjallë.
Policia kërkon dëshmitarë
Rasti u prezantua edhe në emisionin televiziv gjerman “Aktenzeichen XY International”, me shpresën se publikimi do të sjellë informacione të reja.
Policia kërkon nga të gjithë ata që mund të kenë parë Kocanin, automjetin e tij ose persona të përfshirë në zhdukje që të kontaktojnë autoritetet.
Për informacionet që mund të ndihmojnë në zbardhjen e rastit, policia ka vendosur një shpërblim prej 10 mijë frangash.
Si dukej kur u zhduk?
Damir Kocan është rreth 1.75 metra i gjatë, me trup të dobët dhe flokë të shkurtër e të zinj.
Në momentin e zhdukjes dyshohet se kishte veshur një bluzë të bardhë, xhinse të zeza dhe atlete të bardha. Ai mbante në dorë një orë Rolex Submariner prej ari dhe kishte me vete një tufë çelësash.
Policia e Cyrihut vazhdon hetimet për të zbardhur se çfarë ka ndodhur me të dhe ku ndodhet sot.