Ferizaj nuk ka humbur kohë dhe pas shkarkimit të Nevil Dedës është bërë me trajner të ri.
‘Ujqit’ kanë rikthyer në skuadër legjendën e klubit, Arsim Abazin, i cili e kishte nisur sezonin në krye të Ferizajt.
Pas largimit të Dedes, drejtuesit e klubit ferizajas kanë vendosur që t’ia besojnë stolin Abazit, një trajner që e njeh mirë skuadrën dhe grupin e futbollistëve.
Njoftimi i plotë nga FC Ferizaj:
Arsim Abazi rikthehet në klubin tonë
Arsim Abazi rikthehet në krye të shtabit teknik të FC Ferizaj, në një vendim të shumëpritur dhe të kërkuar fuqishëm nga tifozët ferizajas. Pas një periudhe sfiduese, klubi ka vendosur t’i besojë sërish një figure që e njeh shumë mirë ambientin, filozofinë dhe shpirtin e skuadrës.
Ky rikthim nuk përfaqëson vetëm një ndryshim në pankinë, por edhe një mesazh të qartë për stabilitet dhe ambicie më të mëdha. Besimi i tifozëve ndaj Abazit ka qenë gjithmonë i fortë, duke reflektuar lidhjen e veçantë mes tij dhe qytetit.
Nën drejtimin e tij, pritet që FC Ferizaj të rikthejë identitetin dhe frymën garuese, duke synuar rezultate pozitive dhe arritjen e objektivave të sezonit me më shumë siguri dhe motivim. /Telegrafi/