Klubi kryeqytetas, Prishtina ka njoftuar zyrtarisht transferimin e mbrojtësit Anio Poçi, i cili vjen si lojtar i lirë pas përfundimit të kontratës me kampionët e Shqipërisë, Egnatia.
Prishtina ka vazhduar me përforcime para nisjes së sezonit të ri 2026/27 në Superligën e Kosovës dhe sot (e martë) ka prezantuar mbrojtësin nga Shqipëria, Anio Poçi.
“FC Prishtina njofton transferimin e qendërmbrojtësit Anio Poçi, i cili bëhet përforcimi i dytë i skuadrës për sezonin 2026/27”, thuhet fillimisht në njoftimin e klubit.
“Poçi i bashkohet bardhekaltërve pas një sezoni të suksesshëm në Shqipëri, ku me Egnatian u shpall kampion dhe zhvilloi 40 ndeshje në të gjitha garat”.
“Mbrojtësi shqiptar luan në pozitën e qendërmbrojtësit dhe sjell me vete një përvojë të rëndësishme, pasi gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe në Greqi, duke qenë pjesë e skuadrave si Panionios, Proodeftiki dhe klube të tjera”.
“Me përvojën dhe cilësitë e tij, Poçi pritet të jetë një vlerë e shtuar për repartin defensiv të skuadrës sonë në sezonin e ri”, mbyllet njoftimi.
Pas prezantimit, lojtari dha edhe deklaratën e tij të parë për faqen zyrtare të klubit, ku u shpreh mjaft i lumtur me transferimin.
“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e FC Prishtinës. Do të jap maksimumin tim për të ndihmuar ekipin të arrijë objektivat e vendosura. Me paraqitjet e mia do të mundohem të kontribuoj sa më shumë, në mënyrë që së bashku të përmbushim pritshmëritë e klubit dhe të tifozërisë”, ka thënë Poçi.
Vlen të theksohet se Prishtina ka zyrtarizuar para disa ditësh edhe Kastriot Selmanin nga Egnatia, si dhe trajneri e ri Orges Shehi, i cili vjen me ndihmësit e tij, Sebino Plaku, Labinot Qosa dhe Alban Shala. /Telegrafi/
