Autoritetet zvicerane kanë konfirmuar një rast infektimi me hantavirus tek një pasagjer i anijes turistike MV Hondius, i cili është paraqitur në një spital në Cyrih, ku aktualisht po merr trajtim mjekësor.
Sipas njoftimit, pasagjeri reagoi ndaj një e-maili informues nga operatori i anijes për një incident shëndetësor në bord, pas së cilës ai vetë u paraqit pranë autoriteteve shëndetësore në Zvicër.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) bëri të ditur se, në përputhje me Rregulloren Ndërkombëtare të Shëndetit, po bashkëpunon me institucionet përkatëse të disa vendeve për të realizuar gjurmimin ndërkombëtar të kontakteve.
Qëllimi është identifikimi i personave që mund të jenë ekspozuar ndaj virusit dhe parandalimi i përhapjes së mëtejshme.
Është konfirmuar se bëhet fjalë për hantavirusin Andes, ndërsa identifikimi është kryer nga Instituti Kombëtar për Sëmundje Infektive i Afrikës së Jugut dhe Spitali Universitar në Gjenevë.
Në reagimin ndaj këtij rasti shëndetësor kanë marrë pjesë edhe institucione të tjera ndërkombëtare, përfshirë Institutin Pasteur në Dakar (Senegal) dhe Administratën Kombëtare të Laboratorëve dhe Instituteve Shëndetësore të Argjentinës.
Sipas të dhënave të fundit deri më 6 maj, janë regjistruar gjithsej tetë raste, prej të cilave tre janë konfirmuar në laborator si hantavirus.
OBSH-ja ka paralajmëruar vazhdimin e bashkëpunimit me shtetet për t’u siguruar pasagjerëve, ekuipazhit dhe kontakteve informacion dhe mbështetje në kohë, me qëllim mbrojtjen e shëndetit dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të infeksionit. /Telegrafi/