KORREKT / SOT3 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

ZKA zbulon dobësi në sistemin e regjistrimit të bizneseve, 16 rekomandime për ARBK-në

ZKA zbulon dobësi në sistemin e regjistrimit të bizneseve, 16 rekomandime për ARBK-në

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka evidentuar një sërë dobësish në Sistemin e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (RBK), përfshirë mungesën e automatizimit të plotë të proceseve, kontrollet e pamjaftueshme të aplikacionit dhe mangësitë në sigurinë e informacionit.

Në raportin e auditimit të teknologjisë së informacionit për këtë sistem, ZKA vlerëson se, ndonëse ai mbështet në masë të konsiderueshme proceset bazë të regjistrimit dhe administrimit të bizneseve, nevojiten përmirësime për të garantuar funksionim më efikas dhe më të sigurt.

Sipas raportit, sistemi nuk siguron në tërësi validimin automatik të të dhënave dhe zbatimin e kërkesave ligjore e të biznesit. Ndër të tjera, mungesa e kontrolleve të automatizuara për dallueshmërinë e emrave të bizneseve bën që disa verifikime të kryhen manualisht, duke ndikuar potencialisht në efikasitetin dhe kohën e ofrimit të shërbimeve.

Auditimi ka evidentuar gjithashtu kufizime në raportim, analiza dhe statistika, si dhe në funksionalitetet për korrigjimin e lëndëve. Proceset e regjistrimit, ndryshimit dhe çregjistrimit të bizneseve nuk janë plotësisht të digjitalizuara, pasi një pjesë e tyre vazhdon të mbështetet në dokumentacion fizik dhe procedura manuale.

Dobësi janë identifikuar edhe në fushën e sigurisë së informacionit. Sipas ZKA-së, mungojnë politika dhe procedura të formalizuara për menaxhimin e sigurisë dhe vazhdimësinë e shërbimeve, ndërsa mangësitë në menaxhimin e fjalëkalimeve, ndryshimeve, ndarjen e roleve kritike dhe procedurat për rikthim nga fatkeqësitë paraqesin rreziqe për sigurinë dhe funksionimin e sistemit.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka theksuar se sistemi ka kontribuar në standardizimin e proceseve, centralizimin e informatave dhe lehtësimin e ndërveprimit ndërmjet ARBK-së, komunave dhe qytetarëve. Megjithatë, sipas saj, kontrollet e implementuara nuk sigurojnë në tërësi nivelin e nevojshëm të automatizimit, validimit, raportimit dhe sigurisë së informacionit.

Për adresimin e këtyre mangësive, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë 16 rekomandime për Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, përkatësisht Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), e cila administron sistemin. /Lajmi.net/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.