Dy persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë lënduar në një zjarr që shpërtheu në një ndërtesë banimi në zonën turistike Magaluf, në ishullin spanjoll Mallorca.
Sipas autoriteteve lokale, zjarri ka nisur rreth orës 05:00 në katin e tretë të ndërtesës. Banorët fillimisht janë përpjekur ta shuajnë vetë flakën, por pa sukses, pasi zjarri është përhapur me shpejtësi në pjesët e tjera të objektit, sidomos në katet e sipërme.
Shërbimet zjarrfikëse kanë arritur në vendngjarje dhe kanë vënë nën kontroll flakët rreth dy orë më vonë.
Megjithatë, për dy persona ndihma ka ardhur shumë vonë. Një nga viktimat është një shtetas argjentinas 58-vjeçar, ndërsa identiteti i viktimës së dytë, një grua, ende nuk është konfirmuar. Të dy trupat janë gjetur në apartamente të ndryshme.
Katër persona të tjerë janë dërguar për trajtim në spital për shkak të lëndimeve dhe problemeve nga tymi, ndërsa rreth 20 banorë janë evakuuar nga ndërtesa dhe janë strehuar përkohësisht në hotele pranë zonës.
Autoritetet kanë rrethuar katin ku ka shpërthyer zjarri, si dhe katet përreth, në kuadër të hetimeve për zbardhjen e shkaqeve të incidentit, të cilat ende nuk dihen.
Magaluf, një nga destinacionet më të njohura turistike në Mallorca, i frekuentuar sidomos nga turistë britanikë dhe gjermanë, është goditur rëndë nga kjo ngjarje tragjike. Në shenjë zie, autoritetet lokale kanë shpallur dy ditë zije. /Telegrafi/
