Pavarësisht se vlerësimet për presidentin amerikan janë në nivelin më të ulët, zhbërja e trashëgimisë së tij do të jetë e vështirë, jo më pak sepse demokratët janë të çorganizuar.
Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Të gjitha statistikat dhe sondazhet sugjerojnë një gjë: republikanët pritet të pësojnë një goditje të rëndë në zgjedhjet e ndërmjetme. Donald Trumpi e ka nivelin më të ulët të miratimit nga çdo president amerikan që hyn në zgjedhje të ndërmjetme – që nga Harry Trumani. Dhe, ai vazhdon të bjerë. Parashikohet që demokratët të fitojnë me një diferencë prej 11 pikësh në përqindje – lëvizja më e madhe në favor të ndonjë partie në pothuajse 20 vjet. Është e mundur që demokratët të marrin kontrollin e Senatit dhe të sigurojnë një shumicë të madhe në Kongres. Këto shumica do të sillnin ndryshim real, ndoshta duke vendosur më në fund mbikëqyrje mbi politikat që Trumpi solli gjatë mandatit të tij të dytë: zbatimin e ligjeve të emigracionit, mosmarrëveshjet tregtare, dobësimin e fuqisë federale punëtore, luftën me Iranin, pa përmendur korrupsionin e familjes së tij. Duket se batica po kthehet dhe një pyetje është në mendjen e të gjithëve: a po përfundon vërtet epoka e Trumpit?
“Askush nuk flet para kohe”, shkroi David Wallace-Wells i New York Times-it, por: “Të gjitha shenjat që kemi sugjerojnë se, historike ose jo, këto zgjedhje të ndërmjetme ka të ngjarë të shënojnë fundin e një epoke politike”. Ajo që do ta zëvendësojë është një tablo shumë më e ndërlikuar në të cilën ShBA-ja do të çlirohet nga vetë Trumpi, por do të mbetet vend i përçarë dhe i minuar nga ajo që ai bëri. Deri në kohën kur të largohet, Trumpi do të jetë president për tetë vjet dhe një forcë toksike për më shumë se 12. Kjo është një kohë e gjatë edhe për një politikan normal. Nën një politikan që thyen normat dhe e vendos veten me forcë në qendër të çdo gjëje, efekti i Trumpit është sikur ai të kishte qenë president për dekada.
Ai veçse ka zbatuar politika që janë pothuajse të pakthyeshme, gjëra që mund të zhbëhen vetëm me një sasi të jashtëzakonshme pune, përplasjesh legjislative dhe me një konsensus dypartiak që është pak i mundshëm. USAID-i nuk ekziston më. Me gjasë nuk ekzistojnë as departamentet qeveritare të cilat janë eliminuar ose paralizuar në mënyrë efektive nga DOGE – “departamenti i efikasitetit qeveritar”. Ka regjime të tëra tarifash globale dhe fuqizime ekzekutive e buxhetore të ICE-së [Zyra e Zbatimit të Ligjit për Imigracionin dhe Doganat e ShBA-së] me të cilat duhet të merret. Dhe, më e vështira për t’u zhbërë është lufta me Iranin e cila, pavarësisht përfundimit të premtuar dhe të afërt, po duket se do të jetë konflikt pa afat të përcaktuar. Edhe nëse zgjedhjet e ndërmjetme paralajmërojnë një fitore për demokratët në vitin 2026, vendi të cilin ata do ta trashëgojnë do të jetë formësuar përgjithmonë nga Trumpi.
Dhe, kjo mbetet ende një “nëse” e madhe. Trumpi është figurë e veçantë që bashkoi një koalicion përndryshe të paformuar dhe të shpërndarë, nga të krishterët e bardhë evangjelistë te latinët e klasës punëtore dhe miliarderët e Luginës së Silicit [Silicon Valley]. MAGA [Ta bëjmë Amerikën sërish të madhe] është një lëvizje e lidhur ngushtë me Trumpin dhe duket gjithnjë e më e dobësuar nga fakti që ai është në pushtet. Ashtu si Brexit-it dhe lëvizjet e tjera kryengritëse, fuqia mobilizuese kundër establishmentit humbet kur je vetë establishmenti dhe ke qenë i tillë për një kohë mjaft të gjatë. Kërkimi i njerëzve të rinj për t’i fajësuar dhe i pakënaqësive të reja për t’i shfrytëzuar bëhet më pak një ushtrim rebelimi dhe më shumë një ushtrim ankesash dhe negativiteti. Por, kushdo që vjen pas Trumpit si kandidat, edhe nëse ai është vrimë e zezë karizme si JD Vance, mund të gjejë ende njëfarë suksesi duke përdorur të njëjtin mesazh të përgjithshëm. Ai kombinim i frymës luftarake dhe përçarjes mund t’i duket ende bazës si autentik dhe përmbysës. Madje, mund të duket relativisht i zgjuar dhe i kuptueshëm përballë paqartësisë së përgjithshme dhe boshe të establishmentit demokrat.
Dhe, vetë establishmenti demokrat është një arsye për shqetësim. Ka ende rrugë për të bërë, por vetë demokratët duken të paaftë të shkojnë me vendosmëri qoftë prapa, qoftë përpara. Garda e vjetër e partisë është e konsumuar, ose gjerontokratike, ose pranë gjerontokracisë. Në kampin e dytë është Kamala Harrisi, fushata e fundit e së cilës nuk ngjall shpresën e një kandidateje të re në vitin 2026, por të një aparatçike që ofron vetëm vazhdimësi pa peshë. Në të parin është grupi që tani projekton vetëm ndjenjën e së drejtës së vet dhe amullinë e shkëputur nga realiteti të kaq shumë viteve të grumbullimit të kapitalit – Nancy Pelosi, Chuck Schumer, Hillary Clinton.
Vetëm Barack Obama ende ka njëfarë rëndësie dhe e ka përdorur atë për të mbështetur kandidatin për Senat në Miçigan, Abdul El-Sayed – një kandidat që po e bën atë shkëputje me të kaluarën në një rrugëtim të cilin Obama e ka paraqitur si kalim të stafetës. “Ai do ta përfundojë punën që nisëm”, ka thënë Obama.
Por, edhe kur El-Sayedi është në prag që të bëjë histori si senatori i parë mysliman në një shtet që është vendimtar për garën presidenciale, ai ose po merr mbështetje të vakëta e të hezituara nga demokratët e tjerë të lartë, ose po sulmohet haptazi – kryesisht për qëndrimin e tij ndaj Izraelit, për të cilin beson se ka kryer gjenocid në Gazë dhe se duhet t’i ndërpritet financimi. Vetëm pak ditë para zgjedhjeve, kongresistja demokrate, Haley Stevens – të cilën El-Sayedi e mundi ngushtë gushtin e kaluar për të siguruar kandidaturën – e sulmoi ashpër El-Sayedin dhe komentet e tij për Izraelin dhe kërkoi që ai të distancohet nga reklamat zgjedhore që nuk janë bërë as prej tij, por nga një grup i majtë që e mbështeti. Rezultat është një përplasje e pahijshme që fillimisht çoi në atë që El-Sayedi të thoshte se nuk e donte Stevensin të shfaqej me të në një aktivitet për unitetin e partisë – të mbajtur të dielën – dhe kulmoi më vonë po atë ditë me një zhvillim jashtëzakonisht të turpshëm: Stevensi mbështeti kundërshtarin republikan të El-Sayedit, Mike Rogers.
Tërheqja e investimeve nga Izraeli është bërë pikë përplasjeje që duket se ka të bëjë më pak me qëndrimet politike dhe ideologjike sesa me shfaqjen e një orientimi të ri në parti që shkëputet nga një gardë e vjetër e tejkaluar nga ndryshimet e shpejta të qëndrimeve. Kjo u përmblodh në një citat të David Kramerit, demokratit që drejtoi fushatën e Stevensit në zgjedhjet paraprake: “Flitet shumë se kjo është një parti me tendë të madhe, por ndonjëherë shqetësohemi se tenda ndoshta po shndërrohet në cirk dhe se ne do të shtyhemi jashtë”. Krameri po voton gjithashtu për Rogersin për Senat. Dhe, ja ku e keni. Disa demokratë do të preferonin më mirë të humbnin sesa të fitonin sipas kushteve të së majtës dhe të shtyheshin jashtë.
E gjithë kjo sugjeron një të ardhme në të cilën Trumpi nuk është më në skenë, por ende ka mjaftueshëm vrull të mbetur mes pasuesve të Trumpit dhe mjaftueshëm çrregullim brenda Partisë Demokratike që një ngritje në zgjedhjet e ndërmjetme të rezultojë vetëm një pengesë e përkohshme për trumpizmin – jo rivendosja e rendit të vjetër apo fillimi i një rendi të ri.
Kemi qenë këtu më parë. Në fakt, është më keq se kaq: kemi qenë këtu më parë në rrethana shumë më të favorshme për demokratët. Humbja e Trumpit në vitin 2020 ndodhi në një kontekst ku kishte një kandidat të fortë dhe të njohur demokrat, Joe Bidenin, një pandemi për të cilën studimet zbuluan se e dëmtoi mbështetjen për Trumpin, dhe asnjë krizë të madhe në zhvillim në Lindjen e Mesme që do të trazonte politikën e brendshme. Zgjedhjet e ndërmjetme mund të sinjalizojnë fundin e njëfarë epoke të Trumpit, por ajo që pason ka të ngjarë të jetë një rast i Trumpit të zgjatur: një Parti Republikane ende e paaftë të përcaktojë rrugën pa të dhe një Parti Demokratike ende e paaftë të gjejë se çfarë qëndron jashtë kundërshtimit të tij. /Telegrafi/

