Një motoçiklist rus, i lidhur me nivelet më të larta të rrjetit rus përgjegjës për sabotazhe në Evropë, qëndron pas tentativës për një sulm me bombë në aeroportin Leipzig-Halle në Gjermani, ka zbuluar një hetim i përbashkët i gazetës britanike The Telegraph dhe asaj gjermane Die Welt.
Sipas hetimit, Oleg Levushkin dyshohet se ka hartuar planin për sulmin, në të cilin një dron, i pajisur me një bombë të mbushur me eksploziv, u përplas me krahun e një aeroplani ukrainas të transportit.
Objektivi ishte një aeroplan transporti Antonov An-124, i cili ishte i parkuar në aeroport dhe kishte rreth 25 mijë litra vajguri në rezervuarët e tij.
Nëse eksplozivi do të shpërthente, aeroporti mund të përfshihej nga flakë të mëdha dhe të shkaktoheshin dëme të konsiderueshme në një prej nyjeve më të rëndësishme logjistike për ndihmën ushtarake ndaj Ukrainës.
Megjithatë, pajisja shpërthyese, për fat, ra në pistë pa shpërthyer, transmeton Telegrafi.
Hetuesit dyshojnë se Levushkin e kishte hartuar të gjithë planin dhe më pas kishte angazhuar një operativ bjellorus, Andrej Karshakou, të cilin e përshkruajnë si një agjent të shfrytëzueshëm, për ta kryer sulmin.
Hetimi zbuloi se bomba e gjetur ishte pothuajse identike me pajisjet shpërthyese që shërbimet sekrete ruse kishin përdorur më herët në një seri sabotazhesh të parandaluara në Poloni dhe Lituani.
Spiuni ushtarak rus dhe njeriu me dy jetë
Levushkin kishte mbajtur prej vitesh kontakte të drejtpërdrejta me Denis Smolyaninov, një oficer i lartë që drejton sektorin për Ukrainën brenda inteligjencës ushtarake ruse, GRU-së. Shërbimet perëndimore e konsiderojnë atë si një prej organizatorëve kryesorë të sulmeve me bomba në Evropë.
Smolyaninov është ekspert i luftës psikologjike dhe dyshohet se organizon sabotazhe duke rekrutuar bashkëpunëtorë përmes aplikacionit Telegram.
Në publik, Levushkin për vite me radhë ishte paraqitur si një familjar i qetë, i cili së bashku me gruan dhe vajzat e tij shijonte skijimin, peshkimin dhe udhëtimet e gjata me motoçikletë nëpër Evropë.
Por, sipas hetimit, pas kësaj fasade fshihej një jetë tjetër – pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në operacione të fshehta në territorin e Bashkimit Evropian.
Sipas të dhënave të autoriteteve gjermane, Levushkin kishte hyrë në Gjermani përmes Turqisë dhe në aeroportin e Berlinit kishte marrë një veturë me qira.
Të dhënat e lëvizjeve të automjetit treguan se ai kishte vizituar disa lokacione ku ishin fshehur armë. Ndërkohë, rreth 1.8 kilogramë eksploziv plastik Semtex ishte kontrabanduar në Gjermani me kamionë përmes Bullgarisë dhe Serbisë.
Të dhënat e lokacionit treguan se Levushkin kishte vizituar personalisht aeroportin e Leipzigut pesë ditë para sulmit, ku kishte filmuar terminalet.
Megjithëse shërbimet gjermane të sigurisë e dinin që në momentin e hyrjes së tij në vend se ai kishte lidhje me GRU-në, pas mbërritjes së tij nuk e vendosën nën mbikëqyrje operative. /Telegrafi/
– YouTube www.youtube.com