Mesfushori ofensiv i Afrikës së Jugut, Themba Zwane, është ndëshkuar nga FIFA me tre ndeshje pezullim pas kartonit të kuq kontrovers që mori në humbjen e kombëtares së tij ndaj Meksikës në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës 2026.
Ky vendim përbën një goditje të rëndë për përzgjedhësin Hugo Broos dhe skuadrën e tij, pasi veterani 36-vjeçar do të mungojë për pjesën e mbetur të fazës së grupeve, në një moment kur Afrika e Jugut po lufton për të siguruar kualifikimin.
Zëane, i cili gjatë karrierës së tij me kombëtaren ka regjistruar 55 paraqitje dhe 12 gola, konsiderohet një nga lojtarët më me përvojë dhe më të rëndësishëm të ekipit.
Mungesa e tij pritet të krijojë një boshllëk të madh në repartin ofensiv të “Bafana Bafana”.
Sipas ESPN, Komisioni Disiplinor i FIFA-s ka vendosur ta rrisë dënimin fillestar prej një ndeshjeje në tre ndeshje pezullim, megjithëse vendimi mund të apelohet nga federata e Afrikës së Jugut.
Mesfushori u aktivizua në minutën e 61-të të sfidës së zhvilluar në stadiumin “Azteca” më 11 qershor, por qëndrimi i tij në fushë zgjati vetëm 23 minuta, pasi u ndëshkua me karton të kuq.
Tani, Afrika e Jugut do të duhet të vazhdojë rrugëtimin e saj në Grupin A pa njërin prej liderëve kryesorë të skuadrës, duke e bërë edhe më të vështirë misionin për të kaluar në fazën e eliminimit direkt./Telegrafi/
