Didier Deschamps raportohet se është gati të bëjë tri ndryshime në formacionin titullar të Francës për ndeshjen e ardhshme të fazës së grupeve në Kupën e Botës 2026.
Përzgjedhësi francez pritet t’i japë një mundësi nga minuta e parë sulmuesit të krahut të Paris Saint-Germain, Bradley Barcola, i cili do të regjistronte startin e tij të parë në një Kupë Bote. Ky vendim vjen pasi Desire Doue nuk arriti të bindte me paraqitjen e tij në pjesën e parë të ndeshjes ndaj Senegalit.
“Gjelat” e nisën fushatën e tyre në Grup me një fitore 3-1 ndaj Senegalit në Filadelfia, falë dy golave të kapitenit Kylian Mbappe. Megjithatë, pavarësisht tre pikëve të fituara, loja ofanzive e Francës në pjesën e parë u kritikua gjerësisht nga mediat franceze për mungesë ritmi dhe kreativiteti.
Sipas raportimit të mediumit francez L’Equipe, stafi teknik po shqyrton largimin e Doue nga formacioni titullar dhe aktivizimin e Barcolas, i cili me shpejtësinë dhe depërtimet e tij pritet t’i japë më shumë dinamizëm repartit ofensiv.
Ndryshimet nuk pritet të ndalen vetëm aty. Për të rritur kreativitetin në sulm, Michael Olise mund të vendoset në rolin e organizatorit të lojës pas sulmuesit, ndërsa Ousmane Dembele do të zhvendoset në pozicionin e tij natyral në krahun e djathtë.
Edhe mbrojtja dhe mesfusha mund të pësojnë ndryshime. Mbrojtësi i Aston Villas, Lucas Digne, shihet si favoriti kryesor për të zëvendësuar Theo Hernandez në krahun e majtë të mbrojtjes, ndërsa mesfushori i Romës, Manu Kone, pritet të startojë përkrah Adrien Rabiot në mesin e fushës.
Këto lëvizje tregojnë thellësinë e madhe që ka në dispozicion Deschamps, i cili synon të përmirësojë paraqitjen e skuadrës dhe të ruajë formën pozitive në vazhdim të Kupës së Botës 2026./Telegrafi/
