Këngëtari i njohur shqiptar, Yll Limani, ka reaguar pas dy netëve të paharrueshme të koncertit të tij në Prishtinë, duke shprehur mirënjohjen dhe emocionet e mëdha për mbështetjen e publikut.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Limani falënderoi fansat për atmosferën dhe emocionet e përjetuara gjatë dy mbrëmjeve, duke i cilësuar ato si ndër momentet më të bukura të jetës së tij.
“Prishtina jem… Faleminderit për dy netët ma të bukura të jetës time”, ka shkruar artisti, duke shtuar se nuk kishte mënyrë më të mirë për ta përmbyllur fazën e dytë të “TSN Tour” sesa në vendlindje.
Foto: Instagram
Ylli gjithashtu u shpreh mirënjohës për gjithë dashurinë dhe energjinë që mori nga publiku, duke theksuar se këto momente do t’i kujtojë gjithmonë.
“Ju dua pafund dhe faleminderit për krejt emocionet që m’i keni dhënë… Përgjithmonë mirënjohës”, ka shkruar këngëtari.
Dy koncertet në Prishtinë u shoqëruan me një atmosferë të veçantë, teksa fansat patën mundësinë të shijojnë performancat e këngëve më të njohura të Limanit.
Për artistin, këto mbrëmje mbeten një nga pikat më të veçanta të rrugëtimit të tij muzikor. /Telegrafi/
