Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në futbollin holandez, ku derbi ndërmjet Vitesse dhe De Graafschap, në kategorinë e dytë, është shtyrë pasi tifozët mysafirë bllokuan autobusin e ekipit të tyre për të mos e lejuar të udhëtonte drejt stadiumit.
Protesta erdhi pas vendimit të autoriteteve në Arnhem për t'ua ndaluar tifozëve të De Graafschap pjesëmarrjen në ndeshje.
Fillimisht, numri i biletave për mysafirët ishte reduktuar nga 800 në 500, ndërsa ishin vendosur edhe kushte shtesë sigurie. Pas mosmarrëveshjeve, autoritetet vendosën që tifozët mysafirë të mos lejoheshin fare në stadium.
Të revoltuar nga ky vendim, tifozët u mblodhën para stadiumit të tyre në Doetinchem, bllokuan daljet dhe mbyllën portat me zinxhirë, duke pamundësuar largimin e autobusit të futbollistëve.
Si pasojë, skuadra nuk arriti në stadiumin GelreDome dhe ndeshja nuk u zhvillua.
Federata Holandeze e Futbollit e dënoi ashpër incidentin, duke e cilësuar të papranueshme që tifozët ta bëjnë të pamundur zhvillimin e një ndeshjeje.
Rasti do t'u kalojë organeve disiplinore, ndërsa De Graafschap ka shprehur tronditjen për atë që ndodhi. /Zëri

