Kompania Waymo ka njoftuar se ka pezulluar përkohësisht qarkullimin e automjeteve të saj pa shofer në të gjitha autostradat e Shteteve të Bashkuara.
Ky vendim vjen pasi shteti i Kalifornisë ndaloi taksitë pa shofer të Waymo-s në autostradat shtetërore, pas një sërë incidentesh të fundit në trafik.
Departamenti i Automjeteve i Kalifornisë (DMV) e justifikoi ndalimin duke përmendur një “rrezik të menjëhershëm për sigurinë publike”, duke iu referuar një incidenti të ndodhur këtë muaj, ku disa automjete pa shofer të Waymo-s hynë në një zonë punimesh në autostradën “US Route 101”.
Waymo deklaroi se po bashkëpunon me zyrtarët shtetërorë “me përkushtim dhe përgjegjësi për të rifilluar operacionet në autostrada”, duke shtuar se nuk ka pasur të lënduar apo përplasje pas incidentit në “US Route 101”, në jug të San Franciskos.
DMV-ja e Kalifornisë theksoi se taksitë pa shofer të Waymo-s përbëjnë rrezik “për shkak të hyrjeve të përsëritura të automjeteve të saj në zona ku po kryhen punime, ku ndodhen punëtorë, mjete dhe pajisje ndërtimi”.
Ndalimi në Kaliforni, i cili hyri në fuqi më 11 nëntor, do të mbetet në fuqi derisa Waymo “t’i vërtetojë departamentit se ka ndërmarrë masa korrigjuese efektive për të adresuar mangësitë që çuan në vendosjen e këtyre kufizimeve”.
Një zëdhënës i Waymo-s u shpreh: “Në përputhje me parimet tona që e vënë sigurinë në plan të parë, ne kemi kufizuar përkohësisht operacionet në autostrada edhe në tregjet e tjera ku operojmë, për të vlerësuar performancën tonë.”
Aktualisht, Waymo ofron shërbime me taksi pa shofer në 15 qytete të SHBA-së, por qarkullimi në autostrada ishte i mundur vetëm në disa prej tyre, përfshirë San Franciskon, Los Anxhelosin dhe Miamin.
Taksitë pa shofer të kompanisë mund të vazhdojnë të qarkullojnë në rrugët e zakonshme urbane.
Në muajin maj, Waymo tërhoqi mijëra automjete autonome në SHBA për shkak të një problemi në softuer, i cili mund të lejonte që mjetet të hynin në rrugë të përmbytura.
Në të njëjtin muaj, disa makina të Waymo-s u panë duke lëvizur nëpër një rrugë pa dalje në Atlanta, Georgia, në orët e hershme të mëngjesit. /Telegrafi/

