Studiuesit kanë zhvilluar kufje pa tel në të cilat janë integruar kamera të vogla, me idenë që përdoruesit të mund të komunikojnë me inteligjencën artificiale (AI) për atë që po shikojnë në kohë reale.
Pajisja, e quajtur VueBuds, përdor kamera me madhësinë e një kokrre orizi dhe një sistem AI që njeh imazhet dhe gjuhën, kështu që përdoruesi mund të pyesë me zë se çfarë po sheh dhe të marrë shpjegime ose informacione.
Kjo teknologji, sipas studiuesve, mund të ndihmojë personat e verbër dhe me shikim të dobët, por edhe të përdoret në muze, galeri ose gjatë orientimit në një vend të huaj – për shembull për përkthimin e shenjave ose menyve në restorante.
Sistemi është zhvilluar në Universitetin e Uashingtonit, ku kamerat janë integruar në kufje komerciale të Sonyt, në mënyrë që AI të mund të “shohë” atë që përdoruesi po vëzhgon.
Studiuesit thonë se kjo qasje mund të jetë më praktike se syzet inteligjente, sepse njerëzit më rrallë dëshirojnë t’i mbajnë ato, dhe gjithashtu shqetëson më pak privatësinë e të tjerëve në mjedis. /Telegrafi/