Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka reaguar lidhur me praninë e një veture zyrtare, me targa 3Z-177-17, në zonën e Valbonës dhe Bajram Currit në Shqipëri, pasi pamjet e saj ishin dërguar në redaksinë e Klankosova.tv.
Në përgjigjen e dhënë për Klankosova.tv, ministria ka bërë të ditur se dalja e automjetit jashtë territorit të Kosovës ka qenë zyrtare dhe e autorizuar.
Sipas sqarimit të ministrisë, automjeti është përdorur në kuadër të angazhimeve zyrtare për Javën Kombëtare të Kulturës ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, e cila ka filluar më 20 nëntor 2026 dhe do të zgjasë deri më 4 dhjetor 2026.
Aktiviteti i parë i kësaj jave është mbajtur më 20, 21 dhe 22 nëntor në Bajram Curr, me titullin “Next Generation”.
Ministria ka bërë të ditur se ka qenë bashkëfinancuese e këtij projekti, duke mbështetur financiarisht akomodimin dhe transportin e disa të rinjve nga Kosova që morën pjesë në aktivitet.
Po ashtu, në këtë aktivitet kanë marrë pjesë edhe zyrtarë të Ministrisë së Kulturës dhe të institucioneve vartëse të saj.
“Përdorimi dhe dalja e automjetit në fjalë kanë qenë të ndërlidhura me realizimin e këtyre angazhimeve zyrtare dhe kanë qenë të autorizuara”, thuhet në përgjigjen e ministrisë./Klankosova.tv

