KORREKT / SOT15 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Vonesa në fabrikën e municionit, deputetët kërkojnë llogaridhënie nga Qeveria

Vonesa në fabrikën e municionit, deputetët kërkojnë llogaridhënie nga Qeveria

Gati dy vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe prodhuesit shtetëror turk të industrisë së mbrojtjes MKE për ndërtimin e fabrikës së municionit në Kosovë, punimet për realizimin e projektit kanë nisur vetëm së fundmi.

Premtimi i Ministrisë së Mbrojtjes që prodhimi i parë testues të fillojë deri në fund të vitit 2026 po shihet me skepticizëm nga deputetët Besa Kabashaj-Ramaj dhe Burim Ramadani, të cilët kanë ngritur shqetësime për vonesat dhe mungesën e transparencës rreth investimeve në këtë projekt.

Ndërkaq, eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, vlerëson se nisja e prodhimit deri në fund të këtij viti është vështirë e realizueshme, duke parashikuar se kjo mund të ndodhë në fillim të vitit të ardhshëm.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashaj-Ramaj, në një prononcim për Ekonomia Online, ka thënë se premtimet e kryeministrit Albin Kurti për fabrikën e municionit dhe prodhimin e dronëve “Made in Kosova” nuk janë reflektuar në buxhetet e viteve përkatëse.

“Fatkeqësisht, në asnjërin buxhet nuk kanë qenë të reflektuara. Dhe natyrisht, për t’i ndërtuar duhet me pasë edhe investime serioze kapitale në këtë rast, të cilat duhet të reflektojnë me transparencë në buxhetin e Republikës së Kosovës. Herën e kaluar nuk ka ndodhur, kësaj radhe, domethënë, në fakt edhe pyetjet parlamentare që i pata sot për kryeministrin, po kryeministri nuk ishte në seancë dhe pres që t’i japë përgjigjet me shkrim”, tha Kabashaj-Ramaj.

Ajo ka theksuar se përmes pyetjeve parlamentare ka kërkuar informacione për investimet në të dyja projektet, duke vlerësuar se ato përbëjnë kapacitete të rëndësishme për sektorin e mbrojtjes.

“Të dyjat janë kapacitete të rëndësishme për vendin dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës ka përgjegjësi t’i mbikëqyrë në formë transparente investimet e tilla serioze në sektorin e mbrojtjes. Fatkeqësisht, për momentin në buxhetin që është dërguar, nuk reflektohet fare asnjëra dhe as tjetra dhe kjo është për shqetësim, sepse nuk krijon transparencë për mbikëqyrje”, potencoi ajo.

Kabashaj-Ramaj ka bërë të ditur se ka kërkuar edhe dokumentacionin përkatës për këto projekte, duke theksuar se informacionet që nuk janë të klasifikuara duhet të bëhen publike, ndërsa ato të klasifikuara të dorëzohen përmes kanaleve zyrtare.

“Të gjitha komponentët dhe dokumentacionet që nevojiteshin në pyetjen parlamentare janë kërkuar për t’u dorëzuar me shkrim dhe presim që sa më shpejt të dorëzohen informacionet, natyrisht, duke pasur parasysh që ka dy forma kërkesash, kërkesa për informacionet të cilat janë të qasshme publikisht dhe mund të ndajnë me publikun, po dhe ato që mund të jenë të klasifikuara përmes kanaleve zyrtare respektive”, theksoi deputetja e PDK-së.

Kritika për vonesat në nisjen e punimeve ka adresuar edhe deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, i cili ka thënë se marrëveshja e nënshkruar në dhjetor të vitit 2024 është dashur të pasohet me veprime konkrete shumë më herët.

“Së pari duhet të qartësohet se fillimi i punimeve për fabrikën e municionit është vonë, madje, tashmë, me dy vjet vonësi. Pra, marrëveshja është nënshkruar në dhjetor të vitit 2024 dhe deri më tash është livadh, pra, nuk ka, lëndinë, pra, nuk ka ndërtim”, theksoi Ramadani.

Ai ka shprehur dyshime se punimet mund të zhvillohen me ritëm të shpejtë, duke marrë parasysh se ato kanë nisur në fund të vitit dhe se po afrohet periudha e dimrit.

“Fillimi i punimeve fatkeqësish me këtë ritëm të qeverisë nuk është optimist, sepse jemi në fund të vitit dhe tashmë është edhe periudha kur dimri mund të jetë më i acartë, pra nënkupton që janë pak ditë pune dhe pastaj duhet pritur përfundimin e pranverës”, ka thënë ai.

Sipas Ramadanit, premtimi për prodhimin e municionit në Gjakovë deri në fund të vitit 2026 nuk mund të realizohet, përderisa objekti ende nuk është ndërtuar.

“Dhe, rrjedhimisht të gjitha këto që na kanë thënë kryeministri, ministri i mbrojtjes deri tash që në fund të vitit 2026 do të prodhohet municioni në Gjakovë, kanë dalë pavërteta, pra kanë dalë vetëm llafe për jo punë”, shtoi ai.

Deputeti i Aleancës ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse të japin sqarime për vonesat dhe të marrin përgjegjësi për mosrealizimin e afateve të paralajmëruara.

“Absolutisht, sikurse është vonuar dy vjet, nuk ka kohë, por duhet t’ia japin shpjegimet, por nuk duhet të japin arsyetimet, duhet të japin sqarimet dhe përgjegjësi për këto vonesa dhe nuk e di se si mund të thonë sërish që presin që në fund të vitit të prodhohet, kur as ndërtesa nuk është ndërtuar. Dhe, rrjedhimisht, kjo është vetëm llafe, fjalë shumë, veprime pa kurrfarë dhe dështim tejet i dukshëm”, ka thënë Ramadani.

Ndërkaq, eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, e ka vlerësuar ndërtimin e fabrikës si projekt me rëndësi të veçantë për Kosovën, pasi prodhimi vendor, sipas tij, do ta zvogëlojë varësinë nga importi dhe do të krijojë mundësi për eksport.

Ai ka bërë të ditur se në fabrikë parashihet të prodhohen municione të kalibrave 5.56 dhe 7.62, të cilat përdoren nga armatimi sipas standardeve të NATO-s.

“Së pari unë e vlerësoj një projekt jashtëzakonisht të rëndësishëm nga ajo se po fillon prodhimi i municionit 5.56 edhe 7.62 që tregon që na heq një varësi nga importi, por njëkohësisht edhe mundësia që të eksportojmë jashtë”, ka theksuar Ibishi.

Megjithatë, Ibishi nuk pret që prodhimi të nisë deri në fund të këtij viti, pasi, siç ka shpjeguar, përveç ndërtimit të objektit, nevojitet edhe vendosja e makinerive dhe përgatitja e personelit.

“Ka filluar para pak kohësh edhe unë do të thosha nuk besoj që mundet kaq shpejt të fillojë prodhimi në fund të vitit, por e pritshme me fillim të vitit të ardhshëm do të bëhet e mundshme, nga se ajo kërkon vetë domethënë strukturën e ndërtesës, infrastrukturës, mandej vendosja e makinerisë, personelit, gjithë ajo. Mendoj që akoma duhet kohë për atë, por sido që të jetë e pres që kjo do të marrë një kahje, diku në fillim të vitit edhe me shpresë që përveç për mbushjen e nevojave të brendshme që do të kemi edhe mundësi eksporti edhe jashtë”, potencoi ai.

Ibishi ka përmendur edhe vështirësitë me të cilat është përballur Kosova në të kaluarën për furnizimin me municion, për shkak të varësisë nga importi dhe mungesës së disa kalibrave në treg.

“Shumë probleme me çështjet e importit, ndonjëherë edhe tregu është i mangët, ke pasur probleme me kalibra të caktuar, për shembull 9×19 mungesa. Mirëpo tash unë shpresoj që nuk do të ketë më atë problem. Jo që nuk do të ketë atë problem, por që do të ketë mundësi nga se parashikohet diku brenda vitit rreth 20 milionë fishekë të këtyre dy kalibrave, por shpresojmë që do të zgjerohen kapacitetet edhe për kalibra tjerë. Edhe është e mirë që këto janë kalibra domethënë të standardizuar të NATO-së. Edhe kjo është e mirë nga ajo se edhe armatimin ne e kemi sipas standardeve të NATO-së”, ka deklaruar Ibishi.

Ndryshe, vitin e kaluar, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, kishte deklaruar se municionet e para nga fabrika që do të ndërtohet në Gjakovë do të prodhoheshin në fund të vitit 2026.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës, më 27 nëntor, kishte miratuar kërkesën për shpronësimin e pronave të ish-kombinatit bujqësor “Ereniku”, për ndërtimin e zonës industriale në Jahoc të Gjakovës, ku është paraparë të ndërtohet fabrika e municionit.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.