Pasnesër pritet të shpallet aktgjykimi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve në gjykimin për administrim të drejtësisë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Aktgjykimi ëshët caktuar për në orën 10:00 të së martës.
Në këtë proces gjyqësor, përveç Thaçit, të akuzuar janë edhe ish-shefi i AKI-së, Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.
Sipas aktakuzës së konfirmuar më 29 nëntor 2024, Thaçi dhe të tjerët akuzohen për vepra penale që lidhen me pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në procesin gjyqësor për krime lufte.
Në aktakuzë pretendohet se, gjatë periudhës 12 prill – 2 nëntor 2023, Thaçi u kishte dhënë Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit informacione konfidenciale lidhur me dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, si dhe udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e tyre.
Prokuroria pretendon gjithashtu se Thaçi kishte bashkërenduar tri grupe të veçanta, me qëllim të ndikimit në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin për krime lufte.
Ndaj Thaçit janë ngritur tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, katër për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër për mosbindje ndaj gjykatës.
Smakajt, Kilajt dhe Fazliut u janë ngritur nga dy akuza secilit, ndërsa ndaj Kuçit dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Në kuadër të kërkesës për dënim, Prokuroria ka kërkuar që Thaçi të dënohet me gjashtë vjet burgim. Ajo ka kërkuar gjithashtu që koha e kaluar në paraburgim të mos i llogaritet në dënimin e mundshëm.
Ish-presidenti, Thaçi më 16 shtator të këtij viti u dënua me 25 vjet burgim në rastin e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

