Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka folur për perspektivën e Kosovës në Bashkimin Evropian, duke theksuar se traktatet e BE-së përcaktojnë se vetëm një vend evropian mund të aplikojë për anëtarësim.
Duke shpjeguar dallimin mes Kosovës dhe Kanadasë në raport me anëtarësimin në BE, von der Leyen tha se pozita gjeografike e një shteti është një prej kritereve themelore të përcaktuara në traktatet evropiane.
“Dallimi mes Kanadasë dhe Kosovës, për shembull, është si vijon: traktatet tona thonë se duhet të jetë një vend evropian që aplikon për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kanadaja, gjeografikisht, nuk është Evropë, kështu që Kanadaja nuk mund të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha von der Leyen.
Ajo theksoi se situata e Kosovës është ndryshe, pasi Kosova është vend evropian dhe, si e tillë, mund të synojë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
“Për Kosovën është ndryshe. Si vend evropian, ju mund të jeni anëtar i Bashkimit Evropian dhe ky është pikërisht qëllimi që ne po ndjekim”, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian.
Deklarata e von der Leyen vjen gjatë vizitës së saj në Kosovë, ku ajo ka zhvilluar takime me përfaqësues të institucioneve të vendit dhe ka diskutuar për perspektivën evropiane të Kosovës.
Von der Leyen ka theksuar gjithashtu rëndësinë e stabilitetit institucional dhe të vazhdimit të reformave për avancimin e Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian./Telegrafi.